Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka deklaruar se ka një ide për të organizuar në Beograd një forum të madh global, ku do të mblidhen të gjithë liderët botërorë, dhe se do të kërkojë mbështetje për këtë nismë nga presidentët amerikan dhe rus, Donald Trump dhe Vladimir Putin.
“Do të kërkoj mbështetje nga Donaldi junior dhe Donaldi senior Trump, si dhe nga presidenti Putin. Kam një ide që vitin tjetër në Beograd të organizoj një forum të madh global me tema të ndryshme,” tha Vuçiq në TV Informer, transmeton Tanjug.
Duke ndarë informacionin se ka marrë një ftesë nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës për të marrë pjesë në Komitetin Kombëtar Republikan në fillim të majit, ai tha se do ta shfrytëzojë këtë vizitë për të kërkuar mbështetje nga Trump dhe djali i tij që forumi global të mbahet vitin e ardhshëm në Beograd.
Vuçiq u ndal edhe te “përpjekja për arrestim” e presidentit të entitetit të Bosnje e Hercegovinës, Republika Srpska, Milorad Dodik, që ndodhi pak ditë më parë në Sarajevën Lindore, duke theksuar se nuk e kupton nevojën për të arrestuar dikë vetëm pse nuk është pajtuar me vendimin e përfaqësuesit të lartë.
Ai shtoi se shumëkush në Evropë "duhet të tregojë forcë ndaj dikujt, dhe për këtë janë ideal Republika Srpska dhe Serbia."
“Shumë në Evropë duhet të tregojnë forcë ndaj dikujt, nuk mund ta bëjnë këtë ndaj Rusisë apo Kinës, dhe mundësia ideale është që ta bëjnë ndaj Republikës Srpska dhe në fund ndaj Serbisë. Ne kemi menduar gabimisht se dikush do të përpiqej të zgjidhte të paktën pjesërisht çështjen serbe në një mënyrë të drejtë,” tha Vuçiq.
Të mërkurën, Vuçiq konfirmoi se më 9 maj do të marrë pjesë në paradën në Moskë me rastin e 80-vjetorit të fitores ndaj fashizmit dhe se do të takohet me presidentin rus Vladimir Putin.