RAJONI
2 minuta leximi
Sofja kërkon dëmshpërblim për familjen e zyrtarit bullgar të OKB-së të vrarë në Gaza
Ministri i Jashtëm i Bullgarisë, Georg Georgiev tha se vendi i tij këmbëngul në dëmshpërblim me të drejtë për të afërmit e zyrtarit të OKB-së, kapitenin Marin Marinov, i cili humbi jetën në Gaza.
Sofja kërkon dëmshpërblim për familjen e zyrtarit bullgar të OKB-së të vrarë në Gaza
Sofja kërkon dëmshpërblim për familjen e zyrtarit bullgar të OKB-së të vrarë në Gaza / AA
një ditë më parë

Ministri i Jashtëm i Bullgarisë, Georg Georgiev tha se vendi i tij këmbëngul në dëmshpërblim që iu takon të afërmit të zyrtarit të OKB-së, kapitenin Marin Marinov, i cili humbi jetën në Gaza.

Në një deklaratë me shkrim, ministri Georgiev konfirmoi se nga Izraeli kanë marrë informacion zyrtar se kapiteni Marinov u vra nga një predhë tanku i ushtrisë izraelite më 19 mars.

Ai theksoi se pala izraelite ka kërkuar falje nga Bullgaria. "Përveç kësaj, ne do të këmbëngulim për dëmshpërblim për familjen e kapitenit Marinov. Kërkojmë që incidente të tilla të mos përsëriten më", thuhet në deklaratën e kryediplomatit bullgar.

Duke theksuar rëndësinë për mbrojtjen e punonjësve të ndihmave humanitare, Georgiev shtoi se bashkësia ndërkombëtare duhet të garantojë sigurinë dhe lirinë e tyre për të kryer detyrat në përputhje me dispozitat e së drejtës ndërkombëtare.

Ai shprehu ngushëllimet për të afërmit e kapitenit Marinov dhe bëri thirrje për respektimin e armëpushimit në Gaza.

"Kërkojmë rifillimin e armëpushimit në Gaza, parandalimin e humbjes së mëtejshme të civilëve dhe lirimin pa kushte të të gjithë pengjeve. Ne e vlerësojmë bashkëpunimin e vazhdueshëm me organet politike dhe hetimore të OKB-së dhe do të vazhdojmë të bashkëveprojmë me këto organe në çdo nivel të mundshëm", tha Georgiev.

Kapiteni Marin Marinov u vra në sulmin izraelit ndaj kompleksit të OKB-së në Deir al-Balah në Rripin e Gazës më 19 mars.

Edhe pse më parë ushtria izraelite pretendoi se nuk është përgjegjëse për këtë sulm, më 24 prill njoftoi se "sipas shqyrtimeve, u konfirmua se vdekja u shkaktua nga zjarri i tankeve nga trupat izraelite që vepronin në zonë".


BURIMI:TRT Balkan dhe agjencitë
Hidhini një sy TRT Global. Ndani komentet tuaja!
Contact us