Türkiye ka riafirmuar thirrjen e saj për mbështetje të procesit të vazhdueshëm të normalizimit midis Ankarasë dhe Jerevanit.
Ministria e Punëve të Jashtme e Türkiyes ka hedhur poshtë “kategorikisht” pretendimet e bëra në lidhje me ngjarjet e vitit 1915, të cilat “janë në kundërshtim me faktet historike dhe të drejtën ndërkombëtare”.
“Ne i hedhim poshtë kategorikisht deklaratat mbi ngjarjet e vitit 1915, të bëra në shkelje të fakteve historike dhe të drejtës ndërkombëtare”, tha ministria turke.
Ministria komentet i përshkroi si përpjekje që “synojnë qartë të shfrytëzojnë dhimbjet e të kaluarës për motive politike dhe janë plotësisht të pavlefshme”, si dhe theksoi se Ankaraja gjithmonë ka mbështetur paqen botërore, dialogun, mirëkuptimin e ndërsjellë dhe prosperitetin e përbashkët në rajon.
"Me këtë mirëkuptim, Türkiye ka hapur arkivat e saj dhe ka propozuar krijimin e një Komisioni të Përbashkët Historik për një shqyrtim të drejtë dhe shkencor të ngjarjeve të vitit 1915", shtoi ministria.
Ajo gjithashtu paralajmëroi kundër inkurajimit të "qarqeve radikale për të nxjerrë armiqësi nga historia".