LUFTA NË GAZA
2 minuta leximi
Hamasi: Vetoja e ShBA-së në KS-OKB bëhet "dritë e gjelbër" që Izraeli të vazhdojë gjenocidin në Gaza
Uashingtoni shpërfill të drejtën ndërkombëtare, theksohet në deklaratën ku bëhet e ditur se ky është një qëndrim arrogant që pasqyron refuzimin e plotë të çdo përpjekjeje ndërkombëtare për të ndaluar derdhjen e gjakut palestinez.
Hamasi: Vetoja e ShBA-së në KS-OKB bëhet "dritë e gjelbër" që Izraeli të vazhdojë gjenocidin në Gaza
Hamasi: Vetoja e ShBA-së në KS-OKB bëhet "dritë e gjelbër" që Izraeli të vazhdojë gjenocidin në Gaza / AA
5 Qershor 2025

Hamasi deklaroi se përdorimi i fuqisë së vetos nga ShBA-ja kundër rezolutës së paraqitur në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara (KS-OKB) për armëpushim në Gaza, mbështet drejtpërdrejt gjenocidin e kryer nga Izraeli kundër civilëve palestinezë në Gaza.

Në një deklaratë me shkrim, Hamasi dënoi veton me një votë të vetme nga ShBA-ja ndaj rezolutës së paraqitur në KS-OKB për armëpushim në Gaza.

"Vetoja e ShBA-së përfaqëson anshmërinë e verbër të Uashingtonit ndaj qeverisë fashiste pushtuese dhe konfirmon mbështetjen e saj për krimet kundër njerëzimit që ajo po kryen në Rripin e Gazës", thuhet në deklaratë.

Uashingtoni shpërfill të drejtën ndërkombëtare, theksohet në deklaratën ku bëhet e ditur se ky është një qëndrim arrogant që pasqyron refuzimin e plotë të çdo përpjekjeje ndërkombëtare për të ndaluar derdhjen e gjakut palestinez.

"Qëndrimi i ShBA-së është 'dritë e gjelbër' për kryeministrin izraelit Benjamin Netanyahu, një kriminel lufte i kërkuar nga Gjykata Ndërkombëtare Penale (GjNP), për të vazhduar luftën e tij brutale gjenocidale kundër civilëve të pafajshëm, përfshirë fëmijë, gra dhe të moshuar, në Rripin e Gazës, dhe zbulon se është plotësisht bashkëfajtor në krimin që Izraeli vazhdon të kryejë", thuhet në deklaratë.

Hamasi në deklaratën e tij theksoi se: "Dështimi i KS-OKB-së për të ndaluar luftën 20-mujore, dështimi i tij për të thyer rrethimin ose për të sjellë ndihma ushqimore ka sjellë në rend dite problemet themelore lidhur me rolin e institucioneve të komunitetit ndërkombëtar dhe efektivitetin e ligjeve dhe konventave ndërkombëtare pasi Izraeli vazhdon t'i shkelë çdo ditë pa u mbajtur përgjegjës ose pa ndërmarrë ndonjë veprim real kundër tij".

Në deklaratë i bëhet thirrje komunitetit ndërkombëtar të ndërmarrë veprime urgjente kundër këtij kolapsi moral dhe politik, të përfundojë menjëherë luftën gjenocidale dhe të bëjë presion mbi udhëheqësit izraelitë që të japin llogari për krimet e tyre kundër popullit palestinez.

Ndaj projekt-rezolutës që u paraqit dje në KS-OKB për të vendosur armëpushim në Rripin e Gazës u vendos veto me votën e vetme nga ShBA-ja me arsyetimin se nuk e dënonte Hamasin.


BURIMI:TRT Balkan dhe agjencitë
Hidhini një sy TRT Global. Ndani komentet tuaja!
Contact us