RAJONI
2 minuta leximi
Sllovenia e zhgënjyer nga vetoja amerikane ndaj rezolutës për Gazën
"Është e vështirë për mua të kuptoj kundërshtimin ndaj thirrjes për të ndaluar vuajtjet e paimagjinueshme humanitare të popullsisë palestineze", tha Golob.
Sllovenia e zhgënjyer nga vetoja amerikane ndaj rezolutës për Gazën
Sllovenia e zhgënjyer nga vetoja amerikane ndaj rezolutës për Gazën / Reuters
5 Qershor 2025

Sllovenia shprehu "zhgënjim të madh" për veton e ShBA-së në Këshillin e Sigurimit të Organizatës së Kombeve të Bashkuara (KS-OKB) mbi rezolutën humanitare mbi Gazën, duke theksuar se rezoluta kishte për qëllim t'i jepte fund tragjedisë humanitare.

Kryeministri slloven Robert Golob tha se vetoja amerikane ishte një "zhgënjim i madh".

"Rezoluta në të cilën Sllovenia, së bashku me anëtarët e tjerë të Këshillit të Sigurimit të OKB-së, investuan shumë përpjekje dhe negociata, kishte për qëllim t'i jepte fund tragjedisë humanitare në Gaza. Është e vështirë për mua të kuptoj kundërshtimin ndaj thirrjes për të ndaluar vuajtjet e paimagjinueshme humanitare të popullsisë palestineze", tha Golob.

Përfaqësuesi i Përhershëm i Sllovenisë në OKB, Ambasadori Samuel Zhbogar, theksoi se projektrezoluta kishte një fokus ekskluzivisht humanitar.

"Ne, anëtarët e zgjedhur të Këshillit, shpresonim se ai do të bashkohej rreth kërkesës urgjente për t'u ofruar ushqim banorëve të uritur të Gazës", tha Zhbogar.

Shtetet e Bashkuara të Amerikës të mërkurën i vunë veton një projektrezolute të Këshillit të Sigurimit të Organizatës së Kombeve të Bashkuara (KSKB) që bënte thirrje për një "armëpushim të menjëhershëm, të pakushtëzuar dhe të përhershëm" në Gaza.

Projektrezoluta shprehu "shqetësim të thellë për situatën katastrofike humanitare, përfshirë rrezikun e urisë", dhe rikujtoi detyrimet e të gjitha palëve për t'u përmbajtur ligjit ndërkombëtar humanitar dhe të të drejtave të njeriut.

Sllovenia propozoi projektrezolutën në emër të 10 anëtarëve të zgjedhur të Këshillit të Sigurimit - Algjeria, Danimarka, Greqia, Guajana, Panamaja, Pakistani, Republika e Koresë, Sierra Leone, Somalia dhe Sllovenia - dhe mori 14 vota.

BURIMI:TRT Balkan dhe agjencitë
Hidhini një sy TRT Global. Ndani komentet tuaja!
Contact us