Pse e shënojnë palestinezët Naksën më 5 qershor?
Pse e shënojnë palestinezët Naksën më 5 qershor?
Naksa ose "Dita e Dështimit" i referohet luftës së vitit 1967 në të cilën Izraeli pushtoi Gazën, Bregun Perëndimor dhe Jeruzalemin Lindor, duke rezultuar në zhvendosjen e mijëra palestinezëve.
5 Qershor 2025

Palestinezët po shënojnë 58-vjetorin e Naksas “Ditën e Dështimit” më 5 qershor, dita kur dhjetëra mijëra prej tyre u zhvendosën nga trojet e tyre pas përfundimit të Luftës Gjashtëditore në vitin 1967.

Naksa është një term relativisht i pazakontë, por po aq i rëndësishëm për palestinezët sa Nakba, ose ‘katastrofa’, që përkujtohet çdo vit më 15 maj, një ditë që përkon me shpalljen e pavarësisë së Izraelit.

Naksa këtë vit vjen në mes të luftës gjenocidale të Izraelit në Gaza, që ka shkaktuar vdekjen e gati 55.000 njerëzve që nga 7 tetori 2023.

Lufta Gjashtëditore

E njohur gjithashtu si Lufta e Qershorit, Lufta Gjashtëditore përfundoi me fitoren e Izraelit kundër ushtrive të Egjiptit, Jordanisë dhe Sirisë.

Izraeli mori kontrollin mbi Bregun Perëndimor të populluar nga palestinezët, Gazën, Gadishullin Sinai të Egjiptit dhe Lartësitë e Golanit të Sirisë.

Zhvendosja e parë e palestinezëve ndodhi në maj 1948, menjëherë pas krijimit të shtetit hebre. Zhvendosja e dytë në shkallë të gjerë ndodhi në vitin 1967.

Shumë rezoluta të OKB-së që kërkonin tërheqjen e Izraelit nga këto territore dështuan. Izraeli vazhdon të pushtojë të gjitha përveç Gadishullit Sinai, nga i cili u tërhoq në vitin 1982 pas një traktati paqeje me Egjiptin.

Luftimet filluan me një sulm ajror të papritur të Izraelit mbi bazat ajrore të Egjiptit në Sinai më 5 qershor 1967.

Lufta, që zgjati gjashtë ditë, la gati 20.000 arabë të vdekur (ushtarë dhe civilë). Izraeli humbi gjithashtu 800 ushtarë dhe civilë.

Besohen se 70 deri në 80 për qind e pajisjeve ushtarake të ushtrive arabe u shkatërruan, ndërsa Izraeli humbi vetëm 2-5 për qind të arsenalit të tij ushtarak.

Zhvendosja masive

Rreth 300.000 palestinezë u zhvendosën nga Gaza dhe Bregu Perëndimor, shumica e tyre duke u larguar drejt Jordanisë.

Izraeli ende sundon 85 për qind të Palestinës historike (27.000 km katrorë). Vetëm 15 për qind e tokës ka mbetur për palestinezët, shumica e së cilës është gjithashtu nën pushtimin izraelit.

Në nëntor 1967, Këshilli i Sigurimit i OKB-së në rezolutën numër 242 i bëri thirrje Izraelit të tërhiqej nga territoret që kishte pushtuar në luftën e vitit 1967.

Por Izraeli refuzoi të tërhiqej nga Lartësitë Golan të Sirisë dhe nga territoret e tjera të përmendura në rezolutën e OKB-së.

Lartësitë e Golanit

Izraeli i aneksoi Lartësitë e Golanit në vitin 1981 përmes një legjislacioni të miratuar nga Knesseti izraelit.

Komuniteti ndërkombëtar nuk e ka njohur aneksimin e Lartësive të Golanit nga Izraeli.

Në dhjetor 1981, Këshilli i Sigurimit i OKB-së lëshoi Rezolutën numër 497 kundër aneksimit të Izraelit.

Më 25 mars 2019, Presidenti i ShBA-së Donald Trump nënshkroi një proklamatë zyrtare duke shpallur Lartësitë e Golanit si territor të Izraelit.

Deklarata e ShBA-së u refuzua nga të gjitha shtetet arabe dhe shumica e aktorëve ndërkombëtarë. OKB-ja gjithashtu theksoi se ende i konsideron Lartësitë Golan si territor sirian nën pushtimin izraelit.

Pushtimi i drejtpërdrejtë i Izraelit mbi Bregun Perëndimor dhe Gazën vazhdoi deri në krijimin e Autoritetit Palestinez në vitin 1993 pas nënshkrimit të Marrëveshjeve të Oslos midis Organizatës Çlirimtare të Palestinës (PLO) dhe Izraelit.

Sipas Marrëveshjeve të Oslos, një shtet palestinez duhej të shpallej në maj 1999.

Por Izraeli mohoi angazhimet e tij dhe, në vend të kësaj, forcoi aktivitetin e ndërtimit të vendbanimeve në Bregun Perëndimor të pushtuar.

Përpjekjet për paqe gjithashtu pësuan një tjetër goditje pas planit të Trumpit, i cili reduktoi më tej të drejtat palestineze.

“Marrëveshja e Shekullit”

E ashtuquajtura “Marrëveshje e Shekullit” e ShBA-së u shpall më 28 janar 2020, ku Jeruzalemi përmendet si “kryeqyteti i pandarë i Izraelit” dhe njihet sovraniteti izraelit mbi pjesë të mëdha të Bregut Perëndimor të pushtuar.

Plani parashikon krijimin e një shteti palestinez në formën e një arkipelagu të lidhur me ura dhe tunele nën kontrollin e sigurisë së Izraelit.

Palestinezët e refuzuan gjerësisht planin e ShBA-së, sipas të cilit, zyrtarët palestinezë thonë se Izraeli do të aneksonte 30–40 për qind të Bregut Perëndimor dhe të gjithë Jerusalemin Lindor.

BURIMI:TRTWorld
Hidhini një sy TRT Global. Ndani komentet tuaja!
Contact us