Administrata e ish-presidentit amerikan Donald Trump po ushtron presion mbi Serbinë dhe disa vende të tjera të Ballkanit që t'i pranojnë migrantët e dëbuar nga Shtetet e Bashkuara, raportojnë burime të njohura me negociatat.
Këto kërkesa, drejtuar vendeve të rajonit, janë pjesë e një strategjie më të gjerë që synon të gjejë qeveri të huaja të gatshme t'i pranojnë migrantët që ShBA-ja i dëbon, përfshirë ata që kanë hyrë fillimisht në vend nën mbrojtjet e vendosura gjatë administratës së Bidenit, thonë burimet që kanë dashur të mbeten anonime për shkak të ndjeshmërisë së bisedimeve, shkruan Bloomberg, e cila citohet nga “nova.rs”.
Sipas një burimi, zyrat rajonale të Departamentit të Shtetit amerikan kanë marrë detyrën që t’ua paraqesin këtë ide qeverive të Ballkanit. Nuk dihet nëse kanë arritur ndonjë marrëveshje konkrete deri më tani.
Shtëpia e Bardhë ka refuzuar të komentojë, po ashtu edhe Departamenti i Shtetit dhe Ministria e Punëve të Jashtme të Serbisë nuk u janë përgjigjur menjëherë kërkesave për koment nga Bloomberg.
Në muajin maj, Gjykata Supreme e ShBA-së i mundësoi administratës Trump ta shfuqizojë statusin e përkohshëm ligjor për rreth gjysmë milioni persona nga Kuba, Haiti, Nikaragua dhe Venezuela. Tani administrata po kërkon destinacione të mundshme për migrantët nga këto vende që mund të dëbohen, tha një burim.
Gazeta “Wall Street Journal” raportoi që në prill se ShBA po shqyrton dërgimin e migrantëve të dëbuar edhe në vende të tjera, përfshirë Moldavinë dhe Kosovën, si dhe në rajone të ndryshme të botës.
Trump Tower në Beograd dhe lidhjet me Serbinë
Megjithatë, Serbia e cila deri tani nuk është përmendur si destinacion për migrantët e dëbuar nga ShBA-ja ka tërhequr vëmendjen e familjes Trump për një arsye tjetër. Kryeqyteti i Serbisë është planifikuar të jetë vendi ku do të ndërtohet “Trump Tower Belgrade”, një projekt i zhvilluar nga një fond investimi i bashkëthemeluar nga dhëndri i Trumpit, Jared Kushner. Organizata Trump ka nënshkruar një marrëveshje për licencimin e markës së saj për këtë projekt. Pasi Trump ia dorëzoi kontrollin e organizatës së tij djemve Eric dhe Donald Trump Jr., ky i fundit tani mbikëqyr pasuritë e babait nëpërmjet një fondi besimi, shkruan nova.rs.
Plani i autoriteteve serbe dhe i familjes Trump është që kulla të ndërtohet në vendin e ish-Shtabit të Përgjithshëm ushtarak, gjë që ka shkaktuar protesta, të cilave u është shtuar edhe një skandal me dokumente të falsifikuara.
Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, i njohur për balancimin e marrëdhënieve mes Lindjes dhe Perëndimit gjatë qeverisjes së tij, është një simpatizues i hapur i Donald Trumpit. Ai ka mbajtur kontakte me qarqet konservatore në ShBA edhe gjatë kohës kur Trump ishte jashtë pushtetit dhe ishte një ndër të parët që e përgëzoi për fitoren zgjedhore, gjatë një telefonate ku mori pjesë edhe Elon Musk.
Donald Trump Jr. e ka vizituar disa herë Serbinë, ndërsa i dërguari i tij special, Richard Grenell, është nderuar me dekoratën më të lartë civile të Republikës së Serbisë. Gjatë vizitës së fundit në prill, Trump Jr. darkoi me Vuçiqin, duke vizituar kryeqytete të Europës Lindore në kërkim të mundësive biznesore si nënkryetar i Trump Organization.
Sipas Bloomberg, Vuçiq kishte planifikuar të takohej personalisht me Trumpin në maj në Florida, por për shkak të problemeve shëndetësore, u detyrua ta shkurtojë vizitën në ShBA. Vetëm pak ditë më vonë, ai u shfaq në paradën ushtarake në Moskë me rastin e Ditës së Fitores, pavarësisht paralajmërimeve nga zyrtarët e Bashkimit Evropian.
Italia dhe Shqipëria si precedent
Marrëveshje të ngjashme për pranimin e migrantëve të dëbuar tashmë janë bërë në rajon. Një marrëveshje e tillë është arritur midis Italisë dhe Shqipërisë, pasi kryeministrja italiane Giorgia Meloni bindi këtë vend ballkanik që të pranojë ndërtimin e qendrave për migrantët e kapur gjatë përpjekjes për të kaluar detin nga Afrika drejt Evropës. Italia mbulon shpenzimet e këtyre qendrave. Megjithatë, ky aranzhim është përballur me vështirësi praktike dhe sfida ligjore në gjykatat italiane.
Bisedimet më të fundit me shtetet ballkanike po zhvillohen në një kohë kur politika më e ashpër e ShBA-ve ndaj imigracionit përballet me sfida gjyqësore. Më shumë se 200 migrantë, kryesisht nga Venezuela, janë dëbuar drejt burgjeve në El Salvador.
Gjatë këtij procesi, administrata Trump është mbështetur në një ligj që më parë është përdorur vetëm në kohë lufte, i cili i mundëson presidentit të anashkalojë rregullat federale për imigracionin dhe të dëbojë “të huajt armiqësorë” në rastet kur një shtet i huaj përbën “kërcënim për pushtim apo bastisje”.