LUFTA NË GAZA
2 minuta leximi
MSF-ja: Skema izraelito-amerikane për ndarjen e ushqimit në Gaza një kurth, “duhet të çmontohet”
Organizata Mjekët pa Kufij dënon modelin vdekjeprurës të shpërndarjes së ndihmave, duke e cilësuar si çnjerëzore dhe bën thirrje për rikthimin e sistemit humanitar të udhëhequr nga OKB-ja.
MSF-ja: Skema izraelito-amerikane për ndarjen e ushqimit në Gaza një kurth, “duhet të çmontohet”
MSF-ja: Skema izraelito-amerikane për ndarjen e ushqimit në Gaza një kurth, “duhet të çmontohet” / AP
27 Qershor 2025

Organizata Mjekët pa Kufij (MSF) deklaroi të premten se skema e ndarjes së ushqimit në Gaza nga Izraeli dhe ShBA-ja është një “masakër e maskuar si ndihmë humanitare” dhe duhet të çmontohet menjëherë. Organizata e dënoi këtë mekanizëm njëmujor si një operacion qëllimisht çnjerëzor që i detyron civilët të rrezikojnë jetën për të siguruar ushqim.

“Me mbi 500 persona të vrarë dhe gati 4.000 të plagosur gjatë përpjekjeve për të siguruar ushqim, kjo skemë është një masakër e maskuar si ndihmë humanitare dhe duhet të çmontohet menjëherë,” thuhet në deklaratën e MSF-së.

Organizata fajësoi skemën, e koordinuar nga e ashtuquajtura Gaza Humanitarian Foundation (GHF), për shndërrimin e ndihmës bazike ushqimore në një makth vdekjeprurës.

“Mënyra se si shpërndahen furnizimet i detyron mijëra palestinezë, të uritur pas mbi 100 ditësh rrethimi izraelit, të ecin për kilometra të tëra për të arritur në katër pika shpërndarjeje dhe të luftojnë për copa ushqimi,” tha MSF-ja.

Aitor Zabalgogeazkoa, koordinator i emergjencave të MSF-së në Gaza, e përshkroi sistemin si një kurth: “Të katër vendet e shpërndarjes, të gjitha të vendosura në zona nën kontrollin e plotë të forcave izraelite, pas zhvendosjes me forcë të popullsisë nga ato zona, janë të madhësisë së një fushe futbolli, të rrethuara me pika vrojtimi, grumbuj dheu dhe tela me gjemba”, tha ai.

“Pika hyrëse me gardh është e vetmja rrugë hyrjeje apo daljeje. Punonjësit e GHF-së hedhin paletat dhe kutitë me ushqim dhe hapin gardhin, duke lejuar mijëra njerëz të hyjnë menjëherë për të luftuar deri në kokrrën e fundit të orizit.”

Ai shtoi: “Nëse njerëzit mbërrijnë herët dhe afrohen te postblloqet, qëllohen. Nëse mbërrijnë në kohë, por ka mbipopullim dhe ata kalojnë përmbi grumbujt dhe telat, qëllohen. Nëse mbërrijnë me vonesë, nuk duhet të jenë aty, sepse zona është shpallur “e evakuuar”, gjithsesi qëllohen.”

MSF-ja u bëri thirrje autoriteteve izraelite dhe aleatëve të tyre që të “heqin rrethimin ndaj ushqimit, karburantit, ndihmës mjekësore dhe furnizimeve humanitare” dhe ta rikthejnë sistemin humanitar të koordinuar nga OKB-ja që ekzistonte para luftës.

BURIMI:TRT Balkan dhe Agjencitë
Hidhini një sy TRT Global. Ndani komentet tuaja!
Contact us