Drejtori i Komunikimeve të Presidencës turke, Fahrettin Altun, ka riafirmuar rolin vendimtar të Türkiye-s në kuadër të NATO-s dhe përpjekjeve për siguri globale, gjatë një paneli të mbajtur në Amsterdam përpara Samitit të NATO-s.
Në një mesazh me video gjatë panelit të titulluar “Türkiye dhe NATO përballë sfidave të sigurisë dhe informacionit në transformim”, Altun theksoi kontributin e vazhdueshëm të Türkiyes në misionet dhe operacionet e NATO-s, duke e përshkruar vendin si “çelës për paqen dhe drejtësinë” në rajon dhe më gjerë.
“Si një nga vendet që ka marrë më shumë pjesë në misionet dhe operacionet e NATO-s, Türkiye ka qenë çelësi i paqes dhe drejtësisë në rajonin e saj të afërt dhe në arenën globale ndër vite, dhe ka bërë përpjekje intensive diplomatike në këtë drejtim,” tha Altun.
Eventi, i organizuar nga Drejtoria e Komunikimeve të Presidencës turke në kryeqytetin holandez, mblodhi së bashku politikëbërës dhe ekspertë për të diskutuar mbi ndryshimet në paradigmën e sigurisë dhe ndikimin në rritje të luftës së informacionit.
Altun vlerësoi rolin historik të NATO-s si aleanca më efektive e sigurisë që nga themelimi i saj, duke theksuar aftësinë e saj për t’u përshtatur me kohët që nga Lufta e Ftohtë e deri më sot. “Aleanca ka siguruar vazhdimisht siguri dhe stabilitet jo vetëm në rajonin euro-atlantik, por edhe në një kontekst më të gjerë global,” u shpreh ai.
Duke vënë në dukje ndryshimet në rendin global dhe prishjen e strukturave ekzistuese në disa fusha, Altun paralajmëroi për rritjen e kërcënimeve hibride ndaj NATO-s, siç janë manipulimi i informacionit dhe ndërhyrjet e huaja në komunikimin strategjik të aleancës.
Ai theksoi nevojën për strategji të reja të bazuara në komunikim për t’iu përgjigjur sfidave moderne të sigurisë, të cilat sot shkojnë përtej përmasave ushtarake tradicionale.