Forcat izraelite kanë vrarë 16.802 nxënës palestinezë dhe kanë plagosur më shumë se 26.000 në Bregun Perëndimor dhe në Gaza që kur Izraeli nisi luftën e tij gjenocidale më 7 tetor 2023, bëri të ditur të martën Ministria e Arsimit e Palestinës.
Sipas deklaratës, sulmet e Izraelit në Gaza kanë vrarë 15.553 nxënës parauniversitarë dhe kanë plagosur 23.411 të tjerë, ndërsa në Bregun Perëndimor janë vrarë 103 nxënës, janë plagosur 691 dhe janë arrestuar 361.
Deklarata përfshinte gjithashtu edhe numrin e studentëve universitarë të vrarë në sulmet izraelite, duke raportuar se 1.111 studentë kanë humbur jetën në Gazë, 2.317 janë plagosur dhe shumë të tjerë janë arrestuar. Në Bregun Perëndimor janë vrarë 35 studentë, mbi 219 janë plagosur dhe 399 janë arrestuar.
Në total, thuhet se 25.728 nxënës në Gaza dhe të paktën 910 në Bregun Perëndimor janë plagosur nga sulmet izraelite.
Po ashtu, në deklaratë thuhet se në Gaza janë vrarë 701 punonjës të arsimit parauniversitar dhe 3.015 janë plagosur, ndërsa në Bregun Perëndimor janë vrarë katër, janë plagosur 21 dhe janë arrestuar 182. Në universitetet e Gazës, janë vrarë 221 punonjës dhe 1.416 janë plagosur, ndërsa 17 janë arrestuar në Bregun Perëndimor.
Në total, 926 punonjës të arsimit – përfshirë 705 nga shkollat parauniversitare – janë vrarë në Gaza dhe Bregun Perëndimor, ndërsa 4,452 janë plagosur.
Sa i përket institucioneve arsimore, më shumë se 118 shkolla publike në Gaza janë shkatërruar, 252 janë dëmtuar rëndë, 91 janë bombarduar dhe mbi 60 ndërtesa universitare janë rrafshuar plotësisht. Përveç kësaj, 93 shkolla të drejtuara nga agjencia e OKB-së për refugjatët palestinezë (UNRWA) janë bombarduar.
Ministria tha gjithashtu se forcat izraelite kanë dëmtuar 152 shkolla dhe kanë kryer bastisje në tetë universitete në Bregun Perëndimor.
Po ashtu nga ministria thonë se nxënësit në Gaza nuk kanë mundur të marrin pjesë në provimet e maturës, të cilat nisën më 21 qershor për nxënësit palestinezë në Bregun Perëndimor, përfshirë Jeruzalemin, duke qenë kjo hera e dytë që ata i humbasin këto provime.