Avionët luftarakë izraelitë kryen një raund të ri sulmesh ajrore brenda Iranit pas një armëpushimi të martën, pavarësisht thirrjes së presidentit amerikan Donald Trump që Tel Avivi të mos sulmojë Teheranin.
Sipas transmetuesit publik izraelit KAN, avionët luftarakë goditën një instalacion radari pranë kryeqytetit Teheran.
Agjencia iraniane e lajmeve Mehr konfirmoi sulmet ajrore izraelite në Babolsar, një qytet bregdetar në provincën Mazandaran në veri të Iranit.
Gjithashtu, televizioni shtetëror iranian Press TV raportoi se pas sulmeve ajrore izraelite, janë dëgjuar dy shpërthime në pjesën veriore të Teheranit.
Zyra e kryeministrit izraelit Benjamin Netanyahu pretendoi se sulmet ishin në përgjigje të shkeljes së armëpushimit nga ana e Iranit.
“Në vijim të bisedës së presidentit Trump me Netanyahun, Izraeli u përmbajt nga sulme të tjera. Gjatë telefonatës, Trump shprehu mirënjohje të jashtëzakonshme për Izraelin,” thuhet në deklaratë.
Më herët, Trump kritikoi Izraelin për sulmet ndaj Iranit në kundërshtim me armëpushimin.
“Nuk jam i kënaqur që Izraeli po vepron tani. Ka pasur një raketë që, mesa duket, u hodh nga Irani pasi kishte kaluar afati dhe nuk goditi asnjë objektiv. Dhe tani Izraeli po del në sulm. Këta njerëz duhet të qetësohen. Është qesharake,” tha Trump.
“Nuk më pëlqyen shumë gjëra që pashë dje. Nuk më pëlqeu që Izraeli reagoi menjëherë pasi arritëm marrëveshjen. Nuk kishte nevojë të vepronte ashtu. Edhe kundërpërgjigjja iraniane ishte shumë e fortë. Por, për hir të së vërtetës, Izraeli kreu shumë sulme.”
“Dhe tani po dëgjoj që Izraeli sulmoi përsëri sepse e konsideroi marrëveshjen të shkelur nga një raketë që nuk ra askund. Kjo nuk është ajo që duam, po jua them. Dhe po ua them hapur, nuk jam i kënaqur me këtë, as me Izraelin.”
“Gjithë çfarë bëj është të luaj në të dy anët.”
Trump shpalli një armëpushim mes Izraelit dhe Iranit gjatë natës, pas 12 ditësh përleshjesh ajrore mes dy kundërshtarëve të përbetuar.