LUFTA NË GAZA
2 minuta leximi
Ushtria izraelite vret 25 palestinezë në Gaza, mes tyre edhe kërkues ndihmash ushqimore
Duke injoruar thirrjet ndërkombëtare për armëpushim, ushtria izraelite ka vijuar ofensivën e saj brutale ndaj Gazës që nga tetori i vitit 2023, duke vrarë mbi 56.000 palestinezë, shumica gra dhe fëmijë.
Ushtria izraelite vret 25 palestinezë në Gaza, mes tyre edhe kërkues ndihmash ushqimore
Ushtria izraelite vret 25 palestinezë në Gaza, mes tyre edhe kërkues ndihmash ushqimore / AA
një ditë më parë

Të paktën 25 palestinezë, përfshirë persona që po kërkonin ndihma ushqimore, u vranë dhe qindra të tjerë u plagosën gjatë sulmeve të reja izraelite në Gaza të mërkurën, raportoi agjencia palestineze e lajmeve Wafa, duke cituar burime mjekësore.

Tre palestinezë u vranë dhe disa të tjerë u plagosën nga një sulm izraelit në rrugën Al-Mansoura, në lagjen Shejaiya, në lindje të qytetit të Gazës.

Tetë persona të tjerë u vranë nga të shtënat izraelite ndërsa përpiqeshin të siguronin ndihma humanitare në zonën Nitzarim në Gazën qendrore.

Sipas burimeve mjekësore, ekipet e shpëtimit nxorën trupat e tre palestinezëve dhe shpëtuan pesë të mbijetuar nga rrënojat e dy shtëpive në Jabalia Al-Nazla, në veri të Gazës, pas një sulmi ajror izraelit. Disa persona ende konsiderohen të zhdukur nën rrënoja.

Dhjetë palestinezë u vranë dhe të tjerë u plagosën në një tjetër sulm izraelit ndaj dy banesave në qytetin Deir al-Balah dhe kampin e refugjatëve Nuseirat, në Gazën qendrore.

Ekipet e shpëtimit gjetën trupin e një të riu nga qyteti Abasan, në lindje të Khan Younis, në jug Gazës.

Duke injoruar thirrjet ndërkombëtare për armëpushim, ushtria izraelite ka vijuar ofensivën e saj brutale ndaj Gazës që nga tetori i vitit 2023, duke vrarë mbi 56.000 palestinezë, shumica gra dhe fëmijë.

Në nëntorin e kaluar, Gjykata Ndërkombëtare Penale lëshoi urdhërarreste për Kryeministrin izraelit Benjamin Netanyahu dhe ish-ministrin e Mbrojtjes Yoav Gallant për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit në Gaza.

Izraeli gjithashtu përballet me një padi për gjenocid në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë për luftën e tij në këtë enklavë.


BURIMI:TRT Balkan dhe Agjencitë
Hidhini një sy TRT Global. Ndani komentet tuaja!
Contact us