RAJONI
2 minuta leximi
Vazhdon rinumërimi i votave të zgjedhjeve parlamentare në Shqipëri për Qarkun e Tiranës
Në Pallatin e Sportit "Farie Hoti" në Tiranë grupet e rinumërimit nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve i Shqipërisë (KQZ) vazhdojnë procesin e rinumërimit të votave.
Vazhdon rinumërimi i votave të zgjedhjeve parlamentare në Shqipëri për Qarkun e Tiranës
Vazhdon rinumërimi i votave të zgjedhjeve parlamentare në Shqipëri për Qarkun e Tiranës / AA
24 Qershor 2025

Në Shqipëri vazhdon procesi i rinumërimit të votave, pas vendimit për rinumërim në disa qarqe, për zgjedhjet parlamentare që u mbajtën më 11 maj.

Procesi i rinumërimit të votave për disa qarqe filloi më 17 qershor dhe realizohet në kuadër të procesit të ankimimeve në Komisionin e Ankimimeve dhe Sanksioneve pranë Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KAS), pasi ky vendim është marrë nga dy prej anëtarëve të KAS-it pas pretendimeve për parregullsi.

Në Pallatin e Sportit "Farie Hoti" në Tiranë grupet e rinumërimit nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve i Shqipërisë (KQZ) vazhdojnë procesin e rinumërimit të votave.

Ky proces ka përfunduar për dy bashki të Qarkut të Elbasanit dhe aktualisht po vazhdon për të gjithë Qarkun e Tiranës.

Pas përfundimit të Tiranës, do të fillojë rinumërimi për Qarkun e Fierit, si dhe për dhjetëra kuti votimi për Qarkun e Durrësit, përfshirë edhe kuti për votimin nga jashtë.

Nga gjithsej 5.225 qendra votimi në të gjithë vendin, sipas KQZ-së janë 2.323 qendra të votimit në total që janë pjesë e procesit të rinumërimit, përfshirë 85 kutitë nga votimi jashtë vendit.

Zgjedhjet parlamentare në Shqipëri

Më 11 maj 2025, në Shqipëri u mbajtën zgjedhjet parlamentare, ku u votua për të zgjedhur përbërjen e re të Kuvendit të Shqipërisë me 140 mandate.

Sipas rezultateve paraprake nga KQZ-ja, Partia Socialiste (PS) në pushtet, e drejtuar nga kryeministri Edi Rama, fitoi me 53,27 për qind, duke siguruar 83 mandate.

Koalicioni i drejtuar nga partia më e madhe opozitës, Partia Demokratike-Aleanca për Shqipërinë Madhështore (ASHM), renditet i dyti me 32,93 për qind ose 50 mandate.

Partia Socialdemokrate, sa i përket numrit paraprak të mandateve, renditet e treta me 3,10 për qind për qind të votave ose 3 mandate.

Gjithashtu, mandate kanë siguruar edhe disa parti të reja, si Partia Mundësia dy mandate, Koalicioni "Nisma Shqipëria Bëhet" një mandat dhe Partia Lëvizja Bashkë një mandat.

Pas përfundimit të procesit të rinumërimit, KQZ-ja do të shpallë zyrtarisht rezultatin përfundimtar të zgjedhjeve.

BURIMI:TRT Balkan dhe Agjencitë
Hidhini një sy TRT Global. Ndani komentet tuaja!
Contact us