Të paktën 53.655 palestinezë janë vrarë në luftën gjenocidale izraelite në Gaza që nga tetori i vitit 2023, njoftoi të hënën Ministria e Shëndetësisë në Rripin e Gazës.
Në deklaratë thuhet se gjatë 24 orëve të fundit në spitale janë dërguar 82 trupa, ndërsa 262 persona janë plagosur, duke e çuar numrin e të plagosurve që nga fillimi i sulmeve në 121.950.
“Shumë viktima ndodhen ende nën rrënoja dhe nëpër rrugë, ndërsa ekipet e shpëtimit nuk mund t’u afrohen atyre”, thuhet më tej në deklaratë.
Ushtria izraelite më 18 mars rifilloi sulmet ndaj Gazës, duke e shkelur marrëveshjen për armëpushim dhe shkëmbim të të burgosurve që kishte hyrë në fuqi në janar. Ditët e fundit, Izraeli ka intensifikuar më tej sulmet tokësore dhe ajrore.
Gjykata Penale Ndërkombëtare ka lëshuar në nëntor të vitit të kaluar urdhër-arresti për kryeministrin izraelit Benjamin Netanyahu dhe ish-ministrin e Mbrojtjes Yoav Gallant për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit në Gaza.
Izraeli po ashtu po përballet me akuza për gjenocid në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë.