LUFTA NË GAZA
2 minuta leximi
"Izraeli shënjestron gjeneratorët e energjisë për t’i paralizuar spitalet në Gaza"
"Pushtimi (izraelit) synon t’i shkatërrojë sistemet elektromekanike për të nxjerrë jashtë funksionit më shumë spitale", paralajmëroi Ministria e Shëndetësisë në Gaza.
"Izraeli shënjestron gjeneratorët e energjisë për t’i paralizuar spitalet në Gaza"
Israel Palestinians / AP
21 Maj 2025

Ministria e Shëndetësisë e Gazës akuzoi Izraelin sot se ka shënjestruar qëllimisht gjeneratorët e energjisë për t’i paralizuar spitalet në territorin e shkatërruar nga lufta.

Në një deklaratë, ministria tha se forcat izraelite bombarduan tre gjeneratorë dhe rezervuarë karburanti në Spitalin Indonezian në Gazën veriore.

"Situata shëndetësore në Gazën veriore tani është katastrofike pasi Spitali Indonezian doli jashtë funksionit", tha ministria. "Pushtimi (izraelit) synon t’i shkatërrojë sistemet elektromekanike për të nxjerrë jashtë funksionit shumë spitale", paralajmëroi ajo.

Ministria tha se të gjitha spitalet në gjithë Gazën përballen me mungesa të mëdha të pjesëve rezervë dhe lubrifikantëve të nevojshëm për t’i mbajtur gjeneratorët në funksion.

"Spitalet po funksionojnë me rezerva të kufizuara karburanti, duke e kërcënuar ofrimin e vazhdueshëm të kujdesit mjekësor urgjent për të plagosurit dhe të sëmurët", paralajmëroi ajo.

Ministria bëri thirrje për presion mbi Izraelin për të sjellë gjeneratorë elektrikë dhe për t’i rritur furnizimet me karburant për të ndihmuar në mirëmbajtjen e shërbimeve shëndetësore në enklavë.

Që nga nisja e sulmeve të saj në Gaza më 7 tetor 2023, ushtria izraelite ka shënjestruar vazhdimisht spitalet, duke i bërë shumicën e objekteve jofunksionale, sipas raporteve palestineze dhe të OKB-së.

Nga 38 spitale në Gaza, vetëm 19 prej tyre janë ende në funksionim, megjithëse pjesërisht, përfshirë tetë spitale publike dhe 11 spitale private, tha Ministria e Shëndetësisë e Gazës. Përveç kësaj, nëntë spitale fushore ofrojnë shërbime emergjente mes sulmeve izraelite.

Duke refuzuar thirrjet ndërkombëtare për armëpushim, ushtria izraelite ka ndërmarrë ofensivë brutale kundër Gazës që nga tetori i vitit 2023, duke vrarë gati 53.600 palestinezë, shumica prej tyre gra dhe fëmijë.

BURIMI:TRT Balkan dhe agjencitë
Hidhini një sy TRT Global. Ndani komentet tuaja!
Contact us