TÜRKİYE
2 minuta leximi
Kryediplomati turk do të marrë pjesë në samitin joformal të shteteve turke në Budapest
Fidani pritet të theksojë se në një periudhë kur sistemi ndërkombëtar po kalon kohë të vështira për paqen, stabilitetin dhe drejtësinë, vendet e Organizatës së Shteteve Turke po e forcojnë vazhdimisht bashkëpunimin.
Kryediplomati turk do të marrë pjesë në samitin joformal të shteteve turke në Budapest
Kryediplomati turk do të marrë pjesë në samitin joformal të shteteve turke në Budapest / AA
20 Maj 2025

Kryediplomati turk, Hakan Fidan, do ta vizitojë Hungarinë më 20-21 maj, për ta shoqëruar presidentin Recep Tayyip Erdoğan në samitin joformal të Organizatës së Shteteve Turke (OTS) si dhe të marrë pjesë në takimin joformal të Këshillit të Ministrave të Jashtëm të OTS-së.

Takimet do të zhvillohen në kryeqytetin Budapest, ndërsa Fidan pritet të mbajë një fjalim të mërkurën, thanë burimet diplomatike turke.

Pjesëmarrja e tij vjen pas pjesëmarrjes në takimin e mëparshëm të Këshillit të Ministrave të Jashtëm të mbajtur në Bishkek më 6 nëntor 2024, përpara samitit të 11-të të OTS-së.

Në fjalimin e tij, Fidan pritet ta theksojë rëndësinë në rritje të OTS-së në mes të pasigurisë globale.

Ai pritet të theksojë se në një periudhë kur sistemi ndërkombëtar po kalon kohë të vështira në prodhimin e paqes, stabilitetit dhe drejtësisë, vendet e OTS-së po e forcojnë vazhdimisht bashkëpunimin e tyre përmes një ndjenje pronësie rajonale.

Fidan do ta theksojë gjithashtu rëndësinë e identitetit të përbashkët, duke thënë se vendet e OTS-së janë pjesë e botës së madhe turke dhe kjo vetëdije duhet t’i udhëheqë veprimet e tyre.

Lidhur me çështjen e kahershme të Qipros, Fidan do ta riafirmojë mbështetjen e Türkiyes për Republikën Turke të Qipros Veriore (RTQV), duke theksuar një përgjegjësi të përbashkët të OTS-së për të qëndruar në solidaritet me qipriotët turq, të cilët i janë nënshtruar izolimeve të padrejta dhe çnjerëzore për dekada të tëra.

Kryediplomati turk pritet gjithashtu t’i nënvizojë përpjekjet për ta rritur bashkëpunimin në sektorë jetikë, jo vetëm për ta forcuar kapacitetin institucional dhe aftësitë e OTS-së, por edhe për të thelluar lidhjet në fushat e transportit, energjisë dhe zhvillimit të qëndrueshëm.

Samiti i Budapestit vjen pas angazhimeve të fundit të nivelit të lartë brenda OTS-së, duke përfshirë një samit joformal në Shusha më 5-6 korrik 2024 dhe samitin e 11-të në Bishkek më 6 nëntor 2024, ku udhëheqësit përsëritën angazhimin e tyre për solidaritet dhe bashkëpunim më të thellë në të gjithë botën turke.

Takimi i 21 majit pritet të rezultojë me miratimin e një deklarate të përbashkët për ta zgjeruar bashkëpunimin ndërshtetëror dhe integrimin institucional brenda OTS-së.

Do të nënshkruhen gjithashtu disa dokumenta zyrtare. Samiti i 12-të i OTS-së është planifikuar të mbahet në Baku në muajt në vijim.

BURIMI:TRT Balkan dhe agjencitë
Hidhini një sy TRT Global. Ndani komentet tuaja!
Contact us