BOTA
2 minuta leximi
BE-ja heq sanksionet ndaj Sirisë për të mbështetur rindërtimin pas luftës
Ministri i Jashtëm sirian, Assad al-Shibani, thotë se vendimi i Bashkimit Evropian do ta forcojë sigurinë dhe stabilitetin në Siri.
BE-ja heq sanksionet ndaj Sirisë për të mbështetur rindërtimin pas luftës
BE-ja jep dritë jeshile për heqjen e sanksioneve ekonomike ndaj Sirisë / AA
një ditë më parë

Bashkimi Evropian ka vendosur të heqë sanksionet ekonomike ndaj Sirisë për ta mbështetur popullin sirian në rindërtimin e vendit pas më shumë se një dekade lufte civile, njoftoi shefja e politikës së jashtme të BE-së.

“Sot morëm vendim për t'i hequr sanksionet tona ekonomike ndaj Sirisë. Duam të ndihmojmë popullin sirian të ndërtojë një Siri të re, gjithëpërfshirëse dhe paqësore”, shkroi Kaja Kallas në X të martën.

“BE-ja ka qenë gjithmonë në krah të sirianëve gjatë 14 viteve të fundit, dhe do të vazhdojë të jetë”, shtoi ajo.

Bashar al-Assad, udhëheqës i regjimit sirian për gati 25 vjet, u arratis drejt Rusisë në dhjetor, duke i dhënë fund regjimit të Partisë Baath, që ishte në pushtet që nga viti 1963.

Ahmed al-Sharaa, i cili udhëhoqi forcat anti-regjim për të përmbysur Assadin, u shpall president i Sirisë për një periudhë tranzitore në fund të janarit.

Ministri i Jashtëm i Sirisë, Assad al-Shaibani, e falënderoi Bashkimin Evropian për heqjen e sanksioneve ekonomike ndaj vendit të tij.

Shaibani tha në një postim në X se vendimi i BE-së do të forcojë sigurinë dhe stabilitetin e Sirisë.

Mbështetja e ShBA-së

Ndërkohë, Sekretari Amerikan i Shtetit, Marco Rubio, deklaroi se Uashingtoni mbështet përpjekjet për ta ndihmuar qeverinë e re siriane që të ketë sukses, duke paralajmëruar se dështimi mund të çojë në luftë dhe destabilizim rajonal.

“Duam ta ndihmojmë atë qeveri të ketë sukses, sepse alternativa është luftë civile në shkallë të gjerë dhe kaos, gjë që, sigurisht, do ta destabilizonte gjithë rajonin,” tha Rubio përpara Komisionit të Marrëdhënieve me Jashtë të Senatit.

Ai shtoi se zyrtarët amerikanë, përfshirë stafin e ambasadës në Türkiye, do të bashkëpunojnë me partnerë lokalë për t'i vlerësuar nevojat e Sirisë, veçanërisht në lidhje me llojin e ndihmës që u nevojitet për forcat e rendit.  “Kur Siria është e paqëndrueshme, bëhet i paqëndrueshëm i gjithë rajoni,” tha Rubio.

Sipas tij, heqja e sanksioneve mund t'u mundësojë vendeve fqinje të mbështesin qeverinë siriane në ndërtimin e mekanizmave të qeverisjes.


BURIMI:TRT Balkan dhe agjencitë
Hidhini një sy TRT Global. Ndani komentet tuaja!
Contact us