RAJONI
2 minuta leximi
Mucunski-Ibrahimoviq: Suksesi i një vendi të rajonit në BE, lajm i mirë dhe për të tjerët
Mbështetja e ndërsjellë në frontin e integrimit evropian është shembull i vendosmërisë për të përparuar në këtë rrugë që do të ofrojë siguri, stabilitet e përparim, kanë deklaruar bashkërisht kryediplomati i Maqedonisë së Veriut dhe ai i Malit të Zi.
Mucunski-Ibrahimoviq: Suksesi i një vendi të rajonit në BE, lajm i mirë dhe për të tjerët
Mucunski-Ibrahimoviq: Suksesi i një vendi të rajonit në rrugën evropiane, lajm i mirë edhe për të tjerët / AA
25 Prill 2025

Ministri i Jashtëm i Malit të Zi, Ervin Ibrahimoviq, ka arritur për vizitë zyrtare në Maqedoninë e Veriut, ku është takuar me homologun Timço Mucunski.

Siç raporton agjencia e lajmeve MIA, në një konferencë të përbashkët për media në Shkup, ministri i Punëve të Jashtme i Maqedonisë së Veriut, Timço Mucunski, dhe Ervin Ibrahimoviq, ministër i Jashtëm i Malit të Zi, kanë theksuar se çdo sukses i njërit prej vendeve të rajonit në rrugën evropiane është lajm i mirë për të gjithë të tjerët.

Ibrahimoviq, i cili ndodhet për një vizitë zyrtare në vend, theksoi se si dy vende të udhëhequra nga vlerat evropiane dhe euroatlantike, ka hapësirë ​​të madhe që bashkëpunimi i shkëlqyer dypalësh të intensifikohet më tej.

Ai tha gjithashtu se perspektiva evropiane është garantuesi më i fortë për prosperitet dhe stabilitet të mëtejshëm, por edhe një faktor shtesë koheziv i bashkëpunimit në rajon, dhe në këtë kontekst, vuri në dukje ai, Mali i Zi dhe Maqedonia e Veriut mund të shërbejnë si shembull.

Ndërkaq, Mucunksi tha se dy vendet ndajnë të njëjtin mendim në lidhje me situatën në rajon dhe ndajnë domosdoshmërinë e fokusit të fortë në të gjitha nivelet, dypalësh, rajonal dhe shumëpalësh, me qëllim ruajtjen e paqes, stabilitetit dhe prosperitetit si themele kyç për përfitimet e të gjithëve në rajon.

"Ne nënshkruam Memorandumin e Mirëkuptimit në fushën e trajnimit diplomatik midis ministrive tona, duke formalizuar kështu ligjërisht këtë segment të bashkëpunimit tonë", tha Mucunski në konferencën për media.

Ai theksoi se në takim u vu theks i veçantë në procesin e integrimit evropian të të dyja vendeve.

"Mbështetja e ndërsjellë që shprehim në frontin e integrimit evropian është një shembull i mirë i vendosmërisë sonë për të përparuar në këtë rrugë që do të na ofrojë siguri, stabilitet dhe progres drejt një Evrope të begatë që synojmë bashkërisht. Ne arritëm në përfundimin e përbashkët se nevojitet një angazhim më i madh në forcimin e reformave dhe avancimin e sundimit të ligjit si bazë për ndërtimin e shoqërive të qëndrueshme dhe funksionale", shtoi Mucunski.


BURIMI:TRT Balkan dhe agjencitë
Hidhini një sy TRT Global. Ndani komentet tuaja!
Contact us