Të paktën 22 palestinezë u vranë në orët e para të mëngjesit të së shtunës, në ditën e dytë të Kurban Bajramit, nga sulmet ajrore dhe të shtënat izraelite në Khan Younis dhe Rafah, sipas burimeve palestineze.
Dymbëdhjetë persona, përfshirë katër anëtarë të së njëjtës familje, u vranë dhe mbi 40 të tjerë u plagosën nga bombardimet izraelite që kishin në shënjestër tendat ku strehoheshin palestinezët e zhvendosur në perëndim të Khan Younisit.
Në një sulm tjetër, pesë palestinezë u qëlluan për vdekje nga forcat izraelite pranë një qendre shpërndarjeje ndihmash në perëndim të Rafahut. Disa të tjerë mbetën të plagosur.
Numri i përgjithshëm i palestinezëve të vrarë nga të shtënat izraelite teksa përpiqeshin të merrnin ndihma humanitare që nga 27 maji ka arritur në 115, ndërsa mbi 580 janë plagosur dhe nëntë të tjerë rezultojnë ende të zhdukur, sipas një bilanci të Anadolus bazuar në burime palestineze.
Të premten, në ditën e parë të Kurban Bajramit, 33 palestinezë u vranë nga sulmet ajrore dhe bombardimet izraelite në disa zona të Rripit të Gazës.
Ky është Bajrami i katërt për gazanët që nga nisja e luftës gjenocidale nga Izraeli, e cila ka shkaktuar vdekjen e afro 54.700 palestinezëve, ka krijuar kushte urie dhe e ka bërë enklavën të pabanueshme.