Programi Botëror i Ushqimit njoftoi të premten se ka “shteruar të gjitha rezervat ushqimore” për familjet në Gaza, pasi pikat kufitare kanë mbetur të mbyllura që nga 2 marsi.
“Sot, Programi Botëror i Ushqimit dorëzoi rezervat e fundit ushqimore në kuzhinat që shpërndajnë vakte të ngrohta në Rripin e Gazës,” thuhet në një deklaratë të agjencisë.
U theksua se këto kuzhina, që janë burim jetik për vetëm gjysmën e popullsisë duke përmbushur 25% të nevojave ditore ushqimore, pritet të mbeten pa furnizime brenda pak ditësh.
Agjencia e OKB-së bëri me dije se të gjitha 25 furrat që mbështeste janë mbyllur më 31 mars pas mbarimit të miellit të grurit dhe karburantit për gatim. Edhe pakot ushqimore të shpërndara për familjet janë shteruar gjatë të njëjtës javë. U paralajmërua gjithashtu për një “mungesë të rëndë të ujit të sigurt dhe të karburantit për gatim – duke i detyruar njerëzit të kërkojnë materiale për të djegur për të gatuar një vakt”.
Gaza po përjeton mbylljen më të gjatë të pikave të saj kryesore kufitare në histori, pa hyrje ndihmash humanitare apo furnizimesh tregtare për më shumë se shtatë javë.
Programi Botëror i Ushqimit raportoi se çmimet e ushqimeve janë rritur deri në 1.400% në krahasim me periudhën e armëpushimit, ndërkohë që mallrat bazë mungojnë në mënyrë kritike, duke ngritur “shqetësime serioze për ushqyerjen” e grupeve të cenueshme, përfshirë fëmijët e vegjël, gratë shtatzëna, gjidhënëse, si dhe të moshuarit.
Më shumë se 116.000 tonë ndihma ushqimore – të mjaftueshme për të ushqyer një milion njerëz për katër muaj – janë gati të futen sapo të hapen kufijtë, njoftoi agjencia e OKB-së.
“Situata brenda Rripit të Gazës ka arritur sërish në pikën e shpërthimit: njerëzit po mbeten pa mënyra për të përballuar,” paralajmëroi Programi Botëror i Ushqimit.