Në ceremoninë e 97-të të ndarjes së çmimeve Oscar që u mbajt në ShBA, janë zgjedhur fituesit e çmimeve. Ceremonia u mbajt në Teatrin Dolby në qytetin amerikan Los Anxheles.
Në hapjen e ceremonisë së ndarjes së çmimeve, ku prezantues ishte komediani Conan O'Brien, morën pjesë këngëtarja amerikane Ariana Grande dhe këngëtarja dhe aktorja britanike Cynthia Erivo.
Çmimin "Filmi më i mirë" e fitoi "Anora" ndërkaq çmimin "Regjisori më i mirë" e mori regjisori i këtij filmi, Sean Baker.
Çmimin "Aktorja më e mirë" e fitoi gjithashtu aktorja amerikane e këtij filmi Mikey Madison, e cila luante personazhin "Ani" në film.
Aktori amerikan Adrien Brody u vlerësua me çmimin "Aktori më i mirë" për rolin e tij në filmin "The Brutalist", i cili u nominua në 10 kategori.
Kostumografi Paul Tazewell u duartrokit në këmbë pasi u bë personi i parë me ngjyrë që fitoi çmimin "Kostumografia më e mirë".
Thirrje që të ndalohet "spastrimi etnik" ndaj palestinezëve
Dokumentari "No Other Land", i cili tregon historinë e luftës së palestinezëve kundër politikës së ushtrisë izraelite për shkatërrim dhe dëbim në Masafer Yatta në Bregun Perëndimor të pushtuar nga Izraeli, fitoi gjithashtu një çmim në kategorinë "Dokumentari më i mirë".
Në fjalimin e tyre pas pranimit të çmimit, regjisorët e dokumentarit, Basel Adra dhe Yuval Abraham, bënë thirrje për t'i dhënë fund "spastrimit etnik" ndaj palestinezëve.
Duke theksuar se ekziston një "rrugë e ndryshme politike" për paqen midis Izraelit dhe Palestinës, Abraham tha se politikat e jashtme të SHBA-së po e bllokojnë këtë rrugë.
Më tej duke tërhequr vëmendjen ndaj "pabarazisë" në jetë me Adran, Abraham tha: "Ne jetojmë në një regjim ku unë jam i lirë nën sundimin civil dhe Baseli është nën ligjin ushtarak që i shkatërron jetën dhe të cilin ai nuk mund ta kontrollojë".
Çmimet më të rëndësishme nga ceremonia e Oscar-it janë si në vijim:
Filmi më i mirë: "Anora"
Regjisori më i mirë: Sean Baker - "Anora"
Aktorja më e mirë: Mikey Madison - "Anora"
Aktori më i mirë: Adrien Brody - "The Brutalist"
Aktorja më e mirë në rol dytësor: Zoe Saldana - "Emilia Pérez"
Aktori më i mirë në rol dytësor: Kieran Culkin - "A Real Pain"
Kënga më e mirë origjinale: El Mal - "Emilia Perez"
Kinematografia më e mirë: "The Brutalist"
Efekti më i mirë vizual: "Dune: Part Two"
Filmi më i mirë i animuar: "Flow"
Filmi më i mirë në gjuhë të huaj: "I'm Still Here" - Brazil