RAJONI
3 minuta leximi
Shqipëri, institucionet turke shënojnë Ditën e Sovranitetit Kombëtar dhe Fëmijëve
Ambasadori turk në Tiranë, Tayyar Kağan Atay, është takuar me nxënës të shkollës së Fondacionit Turk Maarif në Shqipëri, në ambientet e zyrës së tij, ndërkohë aktivitet për 23 Prillin u organizua edhe nga “New York Schools”.
Shqipëri, institucionet turke shënojnë Ditën e Sovranitetit Kombëtar dhe Fëmijëve
Shqipëri, institucionet turke shënojnë Ditën e Sovranitetit Kombëtar dhe Fëmijëve / AA
23 Prill 2025

Institucionet turke në Shqipëri kanë shënuar Ditën e Sovranitetit Kombëtar dhe Fëmijëve, që në Türkiye shënohet si festë shtetërore.

Fillimisht, Ambasadori turk në Tiranë, Tayyar Kağan Atay, është takuar me nxënës të shkollës së Fondacionit Turk Maarif në Shqipëri, në ambientet e zyrës së tij në ambasadë.

Ambasadori Atay priti nxënësit Zeynep Dua Özbaysar, klasa e parë dhe Ali Kerem Enez, klasa e dytë, me të cilët bashkëbisedoi për 23 Prillin, por u ndal edhe në vuajtjet e fëmijëve në Gaza, që janë nën sulmet izraelite.

Të pranishëm gjatë pritjes së nxënësve ishin edhe këshilltari për Çështjet e Arsimit pranë Ambasadës së Türkiyes në Tiranë Metin Bulut, drejtori i zyrës së Fondacionit Turk Maarif në Shqipëri Mesut Özbaysar, administratori i shkollave të Fondacionit Turk Maarif në Shqipëri, "New York Schools", Hasan Dede dhe mësues.

Teksa bisedonte me ambasadorin Ataty, nxënësja Özbaysar shprehu dëshirën e saj që fëmijët në Gaza të kenë mundësinë të shkojnë në shkollë si fëmijët e tjerë dhe të luajnë të lirë.

Aktivitet për 23 Prillin u organizua edhe nga shkollat e Fondacionit Turk Maarif, "New York Schools", ku të pranishëm ishin përfaqësues të institucioneve turke, mësues, nxënës dhe prindër.

Në fjalën e tij në aktivitetin e organizuar në ambientet e “New York Schools", Ambasadori Atay foli mbi historikun e festës së 23 Prillit, që nga hapja e Kuvendit të Madh Popullor të Türkiyes dhe deri te caktimi i 23 Prillit si Dita e Fëmijëve.

"Kjo ditë është një ditë e veçantë, sepse udhëheqësi ynë Mustafa Kemal Ataturk ua ka dedikuar dhe dhënë si dhuratë fëmijëve dhe gjithë njerëzve në botë", tha Atay. Ambasadori turk u ndal edhe në vendosjen e marrëdhënieve diplomatike mes dy vendeve, pas themelimit të Republikës Turke.

Administratori i shkollave të Fondacionit Turk Maarif, "New York Schools", Dede, tha se kjo ditë e rëndësishme nuk është vetëm një datë që shënon shpalljen e sovranitetit të popullit turk, por edhe një dëshmi e dashurisë dhe besimit ndaj fëmijëve, që sipas tij janë garancia e së ardhmes.

Dede tha se shpreh dëshirën që të gjithë fëmijët e shtypur në Gaza dhe kudo në botë të kenë një të ardhme plot siguri.

"Dua të shpreh se, ndërsa sot festojmë këtë ditë, mbartim edhe një ndjenjë trishtimi në zemrat tona. Fatkeqësisht, në shumë vende të botës, veçanërisht në Gaza, fëmijët përballen me fytyrën e pamëshirshme të luftës. Ato fytyra të pafajshme nuk gjenden në hapësirat e lojërave, por mes ndërtesave të shkatërruara duke u përpjekur të mbijetojnë. Ndërsa ne jemi zëri i paqes dhe vëllazërisë këtu, nuk duhet të harrojmë të bëhemi edhe zëri i tyre", tha ai.

Dede shtoi se si Shkolla Maarif kanë marrë përsipër detyrën për të edukuar çdo nxënës, jo vetëm në aspektin akademik, por edhe në atë moral, kulturor dhe njerëzor.

Gjatë aktivitetit u mbajt edhe një program artistik me këngë, valle dhe poezi, në gjuhën shqipe dhe atë turke.

Festa shtetërore e Sovranitetit Kombëtar dhe Ditës së Fëmijëve festohet në Türkiye më 23 prill, në ditën kur në vitin 1920 u hap Kuvendi i Madh Popullor i Türkiyes. Në këtë ditë në vitin 1924, u vendos që data e themelimit të Kuvendit të Madh Popullor të shënohet si festë kombëtare. Më 23 prill 1929, kjo festë iu është dhuruar fëmijëve. Që nga viti 1929 festohet si Dita e Sovranitetit Kombëtar dhe Dita e Fëmijëve.


BURIMI:TRT Balkan dhe agjencitë
Hidhini një sy TRT Global. Ndani komentet tuaja!
Contact us