Delegacionet amerikane dhe ruse zhvilluan një takim që zgjati rreth 6 orë në Konsullatën e Përgjithshme Ruse në Istanbul për të diskutuar mbi aktivitetet e ambasadave.
Pas takimit, delegacioni amerikan u largua nga Konsullata e Përgjithshme Ruse në Istanbul dhe nuk u bë asnjë deklaratë lidhur me çështjen.
Delegacioni rus u kryesua nga ambasadori rus në Washington, Alexander Darchiev, ndërsa delegacioni amerikan u kryesua nga zv/ndihmës sekretarja amerikane e shtetit për Rusinë dhe Evropën Qendrore, Sonata Coulter.
Takimi tërhoqi interes të madh nga shumë përfaqësues të mediave turke dhe të huaja.
- Agjenda kryesore është "aktivitetet e ambasadave"
Më herët, zëdhënësja e Departamentit Amerikan të Shtetit, Tammy Bruce, deklaroi se takimi i dytë në Istanbul do të përqendrohej vetëm në "aktivitetet e ambasadës" dhe se siguria e Ukrainës apo ndonjë çështje tjetër politike apo e sigurisë nuk do të ishte në rendin e ditës.
"Delegacionet e ShBA-së dhe Rusisë do të takohen për herë të dytë në Istanbul më 10 prill për të bërë përparim në stabilizimin e mëtejshëm të operacioneve të misioneve tona dypalëshe", tha Bruce.
Delegacionet ruse dhe amerikane u takuan për herë të parë më 18 shkurt në kryeqytetin saudit Riad, ku diskutuan tema të tilla si rivendosja e marrëdhënieve dypalëshe dhe përfundimin e luftës në Ukrainë.
Palët zhvilluan takimin e tyre të parë në Istanbul më 27 shkurt në rezidencën e Konsullatës së Përgjithshme të ShBA-së në Istanbul për t'i diskutuar aktivitetet e ambasadës.
Türkiye vazhdon vendosmërinë e saj për të kontribuar për paqen dhe për t'i pritur bisedimet.