Hamasi ka akuzuar Izraelin se po përdor urinë si “armë lufte”, pasi ministri i Mbrojtjes së Izraelit, Israel Katz, pranoi se Tel Avivi po e pengon me qëllim hyrjen e ushqimit dhe ndihmave në Gaza për të ushtruar presion ndaj grupit palestinez.
Katz deklaroi të mërkurën se politika e Izraelit është ta ndalojë hyrjen e ndihmave humanitare në Gaza si një “nga mjetet kryesore të presionit në mënyrë që Hamasi të mos e përdorë atë ndihmë për ta manipuluar popullatën”.
“Deklarata e ministrit Katz përbën një pranim të ri publik se Izraeli po kryen një krim lufte”, thuhet në deklaratën e Hamasit të enjten.
Sipas Hamasit, këto deklarata “konfirmojnë përdorimin e urisë si armë me qëllim mohim të nevojave bazë të jetesës për civilët e pafajshëm – përfshirë ushqimin, ilaçet, ujin dhe karburantin”.
Izraeli më 2 mars mbylli pikat kufitare drejt Gazës, duke pamundësuar hyrjen e furnizimeve thelbësore, pavarësisht raportimeve të shumta për uri në enklavën e shkatërruar nga lufta.
Ministri izraelit i Sigurisë Kombëtare nga e djathta ekstreme, Itamar Ben-Gvir, bëri thirrje që të ndalohet hyrja e “qoftë edhe një gram ushqimi apo ndihme” në Gazën e rrethuar.
“Është për të ardhur keq që këto deklarata kriminale nuk kanë marrë një përgjigje të qartë nga bashkësia ndërkombëtare, Kombet e Bashkuara, Këshilli i Sigurimit i OKB-së dhe organet ndërkombëtare të drejtësisë, për t’i dënuar dhe për t’i thirrur autorët e tyre në përgjegjësi”, thuhet në deklaratën e Hamasit.
Ata bënë thirrje për një veprim të menjëhershëm ndërkombëtar për të ndalur krimin e urisë dhe bllokadën e Gazës, si dhe për të kërkuar përgjegjësi ndaj liderëve izraelitë për krimet brutale kundër njerëzimit.
Më shumë se 51.000 palestinezë, shumica gra dhe fëmijë, janë vrarë në Gaza që nga fillimi i sulmit izraelit në tetor 2023.
Gjykata Penale Ndërkombëtare në nëntor të vitit të kaluar lëshoi urdhër-arreste për kryeministrin izraelit Benjamin Netanyahu dhe ish-ministrin e mbrojtjes Yoav Gallant për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit në Gaza.
Izraeli gjithashtu përballet me një padi për gjenocid në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë (GjND) për shkak të luftës në Gaza.