Türkiye ka përkujtuar viktimat e një sulmi racist me zjarrvënie në vitin 1993 në qytetin gjerman Solingen, ku u vranë pesë anëtarë të një familjeje turke.
“Me respekt përkujtojmë pesë qytetarët tanë që humbën jetën 32 vite më parë në sulmin racist në Solingen”, thuhet në komunikatën e Ministrisë së Jashtme të Türkiyes të publikuar sot.
Ministria gjithashtu nderoi Mevlüde Genç, e cila humbi dy vajza, dy mbesa dhe një mbesë tjetër në sulm, por më vonë u kthye në një simbol pajtimi në Gjermani për thirrjet e saj për paqe dhe vetëpërmbajtje pas tragjedisë. Ajo ndërroi jetë në vitin 2022 dhe shpesh përkujtohet si “Nëna e Urtë”.
“Me këtë rast, edhe një herë e nderojmë me respekt dhe mirënjohje kujtimin e Mevlüde Genç,” thuhet në komunikatë.
Lufta kundër racizmit dhe islamofobisë
Nga ministria gjithashtu thonë se Türkiye do të vazhdojë të përballet me “racizmin në rritje, ksenofobinë dhe urrejtjen ndaj Islamit në çdo platformë.”
Më 29 maj 1993, katër të rinj gjermanë të ekstremit të djathtë, të moshës nga 16 deri në 23 vjeç, i vunë flakën shtëpisë së familjes turke Genç në Solingen, në zonën e Renanisë Veriore-Vestfalisë. Në këtë sulmi u vranë pesë persona dhe u plagosën 14 të tjerë.
Tre nga autorët u dënuan me nga 10 vjet burg, ndërsa i katërti u dënua me 15 vjet.
Sulmi tronditi Gjermaninë dhe nxiti dënime ndërkombëtare, duke shkaktuar debate për racizmin dhe integrimin në vend.