Dy persona kanë vdekur dhe 559 janë arrestuar gjatë festimeve në Francë pas fitores historike të Paris Saint-Germain ndaj Interit në finalen e Ligës së Kampionëve, tha të dielën Ministria e Brendshme Franceze.
Epiqendra e euforisë ishte në Paris, ku boritë e makinave, thirrjet dhe fishekzjarrët mund të dëgjoheshin gjatë gjithë natës pasi PSG-ja mundi Interin 5-0 në Mynih. Një person në një skuter vdiq pasi u godit nga një makinë në jugperëndim të Parisit, tha ministria. Gjithsej 559 persona u arrestuan, 491 prej tyre në kryeqytet.
Një djalë 17-vjeçar u therr me thikë për vdekje në qytetin jugperëndimor të Dax gjatë një tubimi për të festuar fitoren e PSG-së. Vdekja e tij ndodhi menjëherë pas ndeshjes "gjatë festimeve", por prokurorët thanë se nuk dihej nëse sulmi ishte i lidhur me finalen e Ligës së Kampionëve. Sulmuesi është në arrati, thanë zyrtarët.
"Trumbuesit në Champs-Elysees u përpoqën të provokonin incidente dhe u përleshën me policinë disa herë duke hedhur fishekzjarrë të mëdhenj dhe objekte të tjera", tha policia në një deklaratë.
PSG-ja do të mbante një paradë fitoreje në Champs-Elysees të dielën, ku pritej të merrnin dhjetëra mijëra tifozë.
Në Grenoble, në Francën juglindore, një makinë u përplas me një turmë që festonte fitoren e PSG-së, duke plagosur katër persona, dy prej të cilëve rëndë. Të gjithë të plagosurit ishin nga e njëjta familje, tha policia. Shoferi u dorëzua në polici dhe po mbahet në paraburgim. Një hetim tregoi se shoferi nuk veproi me dashje, si dhe testet për alkool dhe drogë dolën negative, thanë prokurorët.
Shumica e tifozëve festuan në mënyrë paqësore, por policia e Parisit tha se pati përleshje të vogla pranë Champs-Elysees dhe stadiumit Parc des Princes, ku 48.000 njerëz e ndoqën ndeshjen në ekrane të mëdha.
Policia tha se shumica e të arrestuarve në Paris dyshoheshin për posedim të paligjshëm të fishekzjarrëve dhe shkaktim të trazirave. PSG fitoi trofeun më prestigjioz të klubit në Evropë për herë të parë në historinë e saj.
Zyra e Presidentit Francez Emmanuel Macron tha se do ta priste ekipin fitues të dielën për t'i uruar ata.
Macron festoi ditën e lavdisë së PSG-së në mediat sociale, ndërsa Kryetarja e Bashkisë së Parisit, Anne Hidalgo, e quajti fitoren historike.
Një total prej 11,5 milionë njerëzsh e ndoqën ndeshjen në të gjithë Francën, sipas agjencisë së vlerësimeve Mediametrie dhe transmetuesit publik Canal+.