RAJONI
3 minuta leximi
Shqipëria mban konferencë për 81-vjetorin e gjenocidit grek ndaj shqiptarëve të Çamërisë
Në konferencën e organizuar nga Fondacioni Çamëria "Hasan Tahsini", historianë dhe studiues të ndryshëm trajtuan çështjen çame, gjenocidin dhe folën mbi rrëfimet e shqiptarëve të Çamërisë mbi gjenocidin.
Shqipëria mban konferencë për 81-vjetorin e gjenocidit grek ndaj shqiptarëve të Çamërisë
Shqipëria mban konferencë për 81-vjetorin e gjenocidit grek ndaj shqiptarëve të Çamërisë
26 Qershor 2025

Në Tiranë, në kuadër të 81-vjetorit të gjenocidit grek ndaj shqiptarëve të Çamërisë, është organizuar konferenca shkencore kombëtare me temë "Çështja çame–Histori, kujtesë dhe ndërgjegje kombëtare".

Në hapje të konferencës, kryetari i Fondacionit Çamëria "Hasan Tahsini", Alket Veliu, u shpreh se muaji qershor është një muaj shumë i rëndësishëm për shqiptarët e Çamërisë, sipas tij është një marshim për kujtesën, për të vërtetën dhe për ndërgjegjen kombëtare.

"Gjatë gjithë këtij muaji, Fondacioni Çamëria 'Hasan Tahsini' ka organizuar me dhjetëra aktivitete, që nga Gjilani në Kosovë, Durrësi dhe Tirana në Shqipëri, dhe deri në Amerikën e largët, ku kemi prezantuar tragjedinë çame dhe mesazhin e Çamërisë në Festivalin e Filmit Shqiptar në Boston. Takimet tona janë shoqëruar me bashkëbisedime me bashkëkombësit tanë të cilët janë njohur jo vetëm me historinë tonë, por edhe me përpjekjet tona për sensibilizizimin për çështjen çame", u shpreh ai.

Sipas tij, çështja çame nuk është vetëm një histori e mohuar, por "është një padrejtësi e gjallë, një plagë që nuk është mbyllur sepse drejtësia nuk është thënë". Veliu theksoi se kërkojnë respektimin e të drejtave humane të shqiptarëve të Çamërisë.

"Vetëm nëpërmjet njohjes së vërtetës dhe krimeve të ndodhura ndaj shqiptarëve të Çamërisë dhe dënimit moral të tyre, mund të sigurojmë që kjo histori të mos përsëritet më", tha kryetari i Fondacionit. 

Gjatë konferencës së organizuar nga Fondacioni Çamëria "Hasan Tahsini", historianë dhe studiues të ndryshëm trajtuan temat në lidhje me Çamërinë, çështjen çame, gjenocidin dhe mbi rrëfimet e shqiptarëve të Çamërisë mbi gjenocidin.

Gjenocidi i Çamërisë

Masakrat ndaj shqiptarëve të Çamërisë filluan që pas shpalljes së pavarësisë së Shqipërisë dhe do të kulmonin në përfundim të Luftës së Dytë Botërore.

Nga qershori i vitit 1944 deri në mars të vitit 1945, mijëra shqiptarë të Çamërisë përjetuan një gjenocid të ashpër nga forcat greke nën komandën e Napoleon Zervës, që rezultoi me vdekjen masive të civilëve, por edhe me shkatërrimin, grabitjen dhe konfiskimin e pronave të tyre.

Në vlerësimet e historianëve, por edhe të përfaqësuesve të shqiptarëve të Çamërisë, janë rreth 5 mijë shqiptarë të Çamërisë, civilë të pafajshëm, mes tyre të moshuar, gra dhe fëmijë që humbën jetën nga masakrat dhe nga vuajtjet, që shënon një periudhë tragjike të fatit të popullsisë çame.

Si pasojë e masakrave u spastrua etnikisht një popullsi prej 35.000 banorësh, shqiptarë myslimanë të Çamërisë, që u vendosën kryesisht në Shqipëri si refugjatë.

Kuvendi i Shqipërisë ka miratuar në vitin 1994 ligjin për shpalljen e 27 qershorit në kalendarin kombëtar si "Dita e gjenocidit ndaj shqiptarëve të Çamërisë nga shovinistët grekë".

BURIMI:TRT Balkan dhe Agjencitë
Hidhini një sy TRT Global. Ndani komentet tuaja!
Contact us