Ministria e Mbrojtjes së Shqipërisë informoi mbrëmjen e së hënës mbi situatën e zjarreve nê vend.
Të dhënat e publikuara nga Qendra Kombëtare Operacionale e Emergjencave Civile në AKMC, tregojnë se deri në orën 21:00 janë raportuar 20 vatra zjarri.
Ministria thekson se pas ndërhyrjes së forcave operacionale në terren u bë i mundur izolimi i plotë dhe shuarja e vatrave në 7 qarqe, përkatësisht 17 vatra zjarri.
Raportohet se 3 vatra zjarri janë ende aktive.
Në qarkun Vlorë, në bashkinë Himarë, zjarri është përhapur në tri drejtime. Drejtimi i Porto Palermo vatra është shuar plotësisht. Zona Qafë Lerë – Llaman, ka disa vatra të vogla me intensitet të ulët. Vatrat janë nën kontroll dhe aktualisht nuk paraqesin rrezik për përhapje. Fshati Kudhës, vatra është aktive por me intensitet të shtuar dhe nuk paraqet rrezik për banesa apo objekte biznesi. Vijon jon ndërhyrja për izolimin e zjarrit nga forcat e MZSH-së të Himarës, Vlorës, Delvinës, Finiqit dhe Sarandës.
Në qarkun Kukës, në fshatin Kolsh, njësia administrative Mamëz, bashkia Kukës, po punohet për fikjen e zjarrit të rënë në vendgrumbullimin e mbetjeve urbane, me 2 automjete zjarrfikëse me 10 efektivë, 1 fadromë, 1 ekskavator, 4 kamionë nga Drejtoria e Shërbimeve të Bashkisë.
Në qarkun Lezhë, në fshatin Ndërfan, njësia administrative Rrëshen, bashkia Mirditë, ka zjarr në pyll të ri dhe shkurre të dendura, ku është e pamundur ndërhyrja me mjete zjarrfikëse. Në operacion kanë marrë pjesë 2 mjete zjarrfikëse me 6 efektivë, 3 forca nga shërbimi pyjor, 3 forca bashkiake dhe 2 forca vullnetare.