Punonjësit e pastrimit në Prishtinë kanë dalë sot në grevë para ndërtesës së komunës së kryeqytetit kosovar për të shprehur pakënaqësinë për shkak të mospagimit të borxhit nga ana e autoriteteve të qeverisjes lokale.
Kompania Rajonale e Mbeturinave "Pastrimi" më 14 maj ka ndërprerë grumbullimin e mbeturinave në Prishtinë. Si pasojë, në kryeqytet kontejnerët janë të stërmbushur, derisa shumë mbeturina kanë dalë edhe jashtë tyre.
Kompania ka shprehur pakënaqësinë e tyre për bllokimin e mjeteve financiare dhe, siç thonë ata, tentativat për ta privatizuar këtë ndërmarrje publike nga ana e komunës.
Sipas tyre, komuna ka bllokuar një borxh prej 2,7 milionë eurosh, duke rrezikuar pagat e punëtorëve dhe duke i lënë ata edhe pa karburante për kamionë, gjë që ka sjellë ndërprerjen e punës së tyre në terren.
Komuna e Prishtinës ka thënë se janë të gatshëm për të arritur një marrëveshje për nënshkrimin e një kontrate të re në vlerë prej 1,5 milion euro, e cila hap rrugë që kompania "Pastrimi" të marrë përsipër një pjesë më të madhe të mbulimit të territorit të kryeqytetit, duke rritur kapacitetin krahas dy operatorëve aktualë që janë aktivë në Prishtinë. Por, marrëveshja mes palëve ende nuk është arritur.
Ndërkohë, Prokuroria Themelore në Prishtinë e cila e ka kualifikuar gjendjen aktuale në kryeqytet si "ndotje, degradim ose shkatërrim i mjedisit", ka autorizuar policinë për grumbullimin e provave lidhur me menaxhimin e mbeturinave në kryeqytet.
Kjo është java e dytë me të cilën qytetarët që jetojnë në kryeqytet po përballen me mbeturinat e tyre të braktisura në "derë të shtëpisë" nga autoritetet kompetente.