BOTA
5 minuta leximi
Çfarë po bën Izraeli në Suweidan e Sirisë?
"Agresioni" i fundit izraelit vjen në krye të pushtimit të vazhdueshëm izraelit të territorit sirian në jug të vendit.
Çfarë po bën Izraeli në Suweidan e Sirisë?
Çfarë po bën Izraeli në Suweidan e Sirisë? / AA
16 Korrik 2025

Izraeli ka intensifikuar bombardimet në provincën Suweida të Sirisë, të cilat qeveria siriane i ka quajtur "agresion i pabesë" dhe një shkelje e rëndë e së drejtës ndërkombëtare.

“Kjo vepër kriminale përbën një shkelje të hapur të sovranitetit të Republikës Arabe Siriane, një shkelje flagrante të parimeve të së drejtës ndërkombëtare dhe të Kartës së Kombeve të Bashkuara,” tha Ministria e Jashtme në një deklaratë të martën.

“Është një shembull i dënueshëm i agresionit të vazhdueshëm dhe ndërhyrjes së jashtme në punët e brendshme të shteteve sovrane.”

Sulmet ajrore izraelite vijnë në një kohë kur administrata e presidentit amerikan Donald Trump ka hequr sanksionet ndaj Sirisë, dhe Damasku më në fund po përpiqet ta rifillojë tregtinë dhe financat me vende të tjera pas viteve të izolimit.

Çfarë po ndodh?

Sulmet ajrore izraelite filluan herët të martën dhe po vazhdojnë edhe pse Damasku shpalli një armëpushim në përplasjet mes milicive druze dhe luftëtarëve tribalë beduinë, të cilat kanë lënë të paktën 30 të vdekur dhe mbi 100 të plagosur që nga e diela.

Izraeli ka goditur Sirinë disa herë në emër të mbrojtjes së druzëve. Megjithatë, udhëheqja shpirtërore e komunitetit druz në Siri u ka bërë thirrje të gjitha fraksioneve të armatosura në Suweida që të dorëzohen dhe të bashkëpunojnë plotësisht me forcat e sigurisë së qeverisë siriane.

Druzët janë një grup minoritar, feja e të cilëve fillimisht buron nga sekti ismailit i shiizmit, por më pas është zhvilluar në një sistem besimi të veçantë dhe më të pavarur.

Komuniteti druz është i përqendruar kryesisht në provincën jugore të Sirisë, Suweida, me popullsi shtesë në disa periferi të Damaskut, veçanërisht në Jaramana dhe Ashrafiyat Sahnaya. Një pakicë e vogël e druzëve jeton edhe në Izrael.

Qeveria siriane është zotuar t'i mbrojë druzët dhe t’i përfshijë ata në proceset politike.

Analizë më e thelluar

Brenda komunitetit, opinionet janë të ndara mbi mënyrën si duhet vepruar në këtë peizazh politik.

Disa druzë janë për angazhim dhe dialog me autoritetet, ndërsa të tjerë mbështesin një qëndrim më të ashpër ose përballës.

Tensionet u përshkallëzuan kohët e fundit pasi anëtarë të fisit beduin në Suweida thuhet se ngritën një pikë kontrolli, sulmuan një individ druz dhe i vodhën sende. Ky incident shkaktoi një cikël dhune dhe rrëmbimesh hakmarrëse mes dy komuniteteve.

Megjithëse forcat qeveritare u dërguan për të stabilizuar rajonin, përplasjet sporadike vazhdojnë.

Zyrtarët ia atribuojnë trazirat grupeve të ashtuquajtura “jashtë ligjit” dhe kanë reaguar duke vendosur një orë policore për ta frenuar situatën.

"Agresioni" i fundit izraelit vjen në krye të pushtimit të vazhdueshëm izraelit të territorit sirian në jug të vendit.

Gjatë tre muajve të fundit, ushtria izraelite ka ndërtuar të paktën 10 baza të reja në provincat jugore siriane Quneitra dhe Daraa, duke e zgjeruar më tej praninë e saj në shkelje të Marrëveshjes së Shkëputjes të vitit 1974.

Menjëherë pas rënies së regjimit në dhjetor të vitit të kaluar, Izraeli intensifikoi sulmet ajrore në gjithë Sirinë. Ai shtriu ofensivat ushtarake përtej Lartësive të Golanit të pushtuara, në zonën neutrale të demilitarizuar, një zonë e caktuar si neutrale nën marrëveshjen e ndërmjetësuar pas Luftës së Yom Kippur të vitit 1973.

Baza të ndërtuara nga Izraeli janë vendosur zakonisht pranë kodrave strategjike dhe kryqëzimeve të rrugëve kryesore, veçanërisht në zonat rurale të Quneitras.

Këto vendndodhje janë krijuar për t'i mbikëqyrur fshatrat përreth dhe kanë çuar në zhvendosje masive të sirianëve.

Qeveria siriane e ka refuzuar shpalljen nga Izraeli të një zone të demilitarizuar dhe, së bashku me bashkësinë ndërkombëtare, i ka bërë thirrje në mënyrë të përsëritur Izraelit të ndalojë veprimet ushtarake që shkelin sovranitetin e saj.

Ndërkohë që kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu ka deklaruar se Izraeli nuk do të lejojë një “Liban të dytë” të krijohet në jugperëndim të Sirisë, Damasku e ka akuzuar Tel Avivin për ndjekjen e objektivave të errëta që synojnë destabilizimin e vendit.

Sulmet izraelite ndodhën “në një moment të kalkuluar dhe në një kontekst të dyshimtë, qartazi të synuar për ta minuar stabilitetin kombëtar dhe për ta goditur unitetin sirian në një moment kritik kur shteti po punon për ta konsoliduar sigurinë dhe për të dalë nga pasojat e luftës,” tha Ministria e Jashtme siriane.

Çfarë është interesante në këtë zhvillim është se veprimet e Izraelit në Siri nuk gëzojnë mbështetjen e aleatit më të madh të Tel Avivit dhe furnizuesit kryesor të armëve: Shteteve të Bashkuara.

I dërguari amerikan për Sirinë, Tom Barrack, tha se Uashingtoni ishte në kontakt me të gjitha palët “për të ecur drejt qetësimit dhe integrimit,” por Axios, duke cituar një zyrtar amerikan, raportoi se administrata Trump i kishte kërkuar Izraelit të ndalonte sulmet ndaj forcave ushtarake siriane.

Izraeli nuk ka lëvizur nga qëndrimi i tij dhe ka mbajtur një pozicion agresiv ndaj udhëheqësve të rinj të Sirisë që pas rënies së Asadit.

Forcat izraelite më herët kishin pushtuar një zonë neutrale të patrulluar nga OKB-ja në territorin sirian përgjatë kufirit me Lartësitë e Golanit të pushtuara dhe kanë kryer qindra sulme ajrore mbi baza ushtarake në Siri.

Administrata Trump ka shtyrë qeverinë e re siriane të lëvizë drejt normalizimit me Izraelin.

Zyrtarët sirianë kanë pranuar se kanë zhvilluar bisedime të tërthorta me Izraelin për të përpjekur t'i zbutin tensionet, por nuk kanë komentuar mbi raportimet se të dyja palët kanë mbajtur edhe bisedime të drejtpërdrejta.

Përshkallëzimet e fundit nga Izraeli nuk ndihmojnë aspak në këtë drejtim.

Të martën, ministri izraelit për Çështjet e Diasporës, Amichai Chikli, bëri thirrje për eliminimin e presidentit sirian Ahmed al Sharaa, raportoi gazeta Israel Hayom.

Deklarata e Chiklit vjen ndërkohë që përpjekjet diplomatike vazhdojnë për të promovuar një marrëveshje të mundshme sigurie mes dy vendeve.

Ministria e Jashtme e Sirisë u bëri thirrje “të gjitha vendeve dhe organizatave ta respektojnë autoritetin e Republikës Arabe Siriane dhe të përmbahen nga mbështetja për çdo lëvizje separatiste rebele.”

Në një deklaratë, ajo u bëri thirrje sirianëve t'i “ndalin aktet e dhunës, t'i dorëzojnë armët e paligjshme dhe të pengojnë ata që kërkojnë të copëtojnë indin shoqëror sirian dhe të përhapin përçarje dhe ndasi”.

BURIMI:TRT World
Hidhini një sy TRT Global. Ndani komentet tuaja!
Contact us