POLITIKË
2 minuta leximi
Elon Musk propozon krijimin e një partie të re politike mes tensioneve me Trumpin
“Ky është fati”, thotë Musk pasi 80 për qind e të anketuarve në sondazhin e tij në X mbështetën idenë për krijimin e një partie të re politike në ShBA që “përfaqëson 80 për qind të popullsisë në mes.”
Elon Musk propozon krijimin e një partie të re politike mes tensioneve me Trumpin
Elon Musk propozon krijimin e një partie të re politike mes tensioneve me Trumpin / Reuters
7 Qershor 2025

Miliarderi amerikan Elon Musk hodhi këtë javë idenë për të krijuar një parti të re politike, duke mundësuar përshkallëzimin e mëtejshëm të përplasjes së tij me aleatin e dikurshëm, presidentin Donald Trump.

Në vijim të kritikave të tij të vazhdueshme ndaj Trumpit, Musk publikoi një sondazh në platformën X, duke pyetur 220 milionë ndjekësit e tij nëse “është koha për të krijuar një parti të re politike në Amerikë që vërtet përfaqëson 80 për qindshin në mes.”

Duke theksuar se 80 për qind e atyre që morën pjesë në sondazh mbështetën idenë, drejtuesi i Teslës shkroi të premten në mbrëmje: “Ky është fati.”

Më vonë, Musk mbështeti një sugjerim nga një ndjekës për të quajtur partinë e re “Partia Amerika” (America Party), një emër i ngjashëm me komitetin politik (PAC) “America” që ai nisi vitin e kaluar, i cili shpenzoi 239 milionë dollarë për të mbështetur Trumpin dhe republikanët e tjerë në zgjedhjet e vitit 2024.

Krijimi i një partie të re politike në ShBA është një sfidë madhore. Ndërkohë që demokratët, republikanët dhe disa parti të tjera të konsoliduara kanë tashmë akses të gjerë në fletëvotime, çdo parti e re që synon të konkurrojë duhet të përballojë kërkesa komplekse dhe të ndryshme nga shteti në shtet për të regjistruar kandidatët e saj.

Musk gjithashtu u duk se po e shqyrtonte një postim që propozonte reformimin e një prej partive të mëdha “nga brenda jashtë”, duke u përgjigjur me një “Hmm.”

Ende mbetet e paqartë se sa i përkushtuar është Musk ndaj idesë për t’u shkëputur nga Partia Republikane.


BURIMI:TRT Balkan dhe agjencitë
Hidhini një sy TRT Global. Ndani komentet tuaja!
Contact us