LUFTA NË GAZA
2 minuta leximi
Pas vetos së ShBA-së, Palestina paralajmëron se lufta izraelite në Gaza nuk do të sjellë stabilitet
Autoriteti Palestinez thotë se vetoja e ShBA-së do ta inkurajojë Izraelin t’i vazhdojë “krimet” e tij.
Pas vetos së ShBA-së, Palestina paralajmëron se lufta izraelite në Gaza nuk do të sjellë stabilitet
Pas vetos së ShBA-së, Palestina paralajmëron se lufta izraelite në Gaza nuk do të sjellë stabilitet / AA
5 Qershor 2025

Palestina deklaroi të enjten se lufta gjenocidale e Izraelit në Gaza nuk do të sjellë as siguri dhe as stabilitet, pas vetos së SHBA-së ndaj një rezolute të Këshillit të Sigurimit të OKB-së që kërkonte një armëpushim të menjëhershëm në enklavë.

“Lufta gjenocidale që vazhdon në Gaza, terrori i kolonëve në Bregun Perëndimor… dhe përdorimi i vetos nga SHBA në Këshillin e Sigurimit të OKB-së nuk do të sjellin siguri apo stabilitet për askënd,” tha zëdhënësi i Autoritetit Palestinez, Nabil Abu Rudeina, në një deklaratë të cituar nga agjencia shtetërore e lajmeve Wafa.

Zëdhënësi paralajmëroi se vetoja e ShBA-së do ta inkurajojë Izraelin “të vazhdojë agresionin dhe krimet e tij.”

Ai bëri thirrje për qasje të menjëhershme humanitare në Gaza dhe për vetëvendosje të popullit palestinez sipas të drejtës ndërkombëtare.

“Ajo që kërkohet tani është të detyrohet pushtimi (izraelit) të ndalë luftën dhe agresionet në Bregun Perëndimor, përfshirë Jerusalemin, dhe t’i bëhet presion që t’i respektojë rezolutat e legjitimitetit ndërkombëtar,” tha Abu Rudeina.

Të mërkurën, ShBA-ja vendosi veton ndaj një projekt-rezolute të Këshillit të Sigurimit të OKB-së që kërkonte një “armëpushim të menjëhershëm, të pakushtëzuar dhe të përhershëm” në Rripin e Gazës.

Sllovenia propozoi projekt-rezolutën në emër të 10 anëtarëve të zgjedhur të Këshillit të Sigurimit – Algjeria, Danimarka, Greqia, Guajana, Panamaja, Pakistani, Koreja e Jugut, Sierra Leone, Somalia dhe Sllovenia – dhe mori 14 vota pro.

Izraeli, duke refuzuar thirrjet ndërkombëtare për armëpushim, ka ndjekur një ofensivë gjenocidale në Gaza që nga tetori 2023, duke vrarë gati 54.700 palestinezë, shumica prej tyre gra dhe fëmijë. Agjencitë e ndihmës kanë paralajmëruar për rrezikun e urisë mes më shumë se 2 milionë banorëve të enklavës.

Në nëntorin e kaluar, Gjykata Penale Ndërkombëtare lëshoi urdhërarreste për kryeministrin izraelit Benjamin Netanyahu dhe ish-ministrin e tij të Mbrojtjes, Yoav Gallant, për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit në Gaza.

Izraeli përballet gjithashtu me një padi për gjenocid në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë për krimet e tij kundër civilëve në enklavë.


BURIMI:TRT Balkan dhe agjencitë
Hidhini një sy TRT Global. Ndani komentet tuaja!
Contact us