Kaon Krasniqi, 14-vjeçari nga Kosova që sfidon botën e inteligjencës artificiale
RAJONI
3 minuta leximi
Kaon Krasniqi, 14-vjeçari nga Kosova që sfidon botën e inteligjencës artificialeFillimi i këtij rrugëtimi ndodhi kur prindërit e tij e inkurajuan të ndiqte kursin “Bone vet”, i cili për Kaonin u bë pika e kthesës drejt një pasioni të thellë për teknologjinë.
Kaon Krasniqi, 14-vjeçari nga Kosova që sfidon botën e inteligjencës artificiale / User Upload
25 Prill 2025

Në një botë ku teknologjia po ndryshon me shpejtësi marramendëse, Kaon Krasniqi, një 14-vjeçar nga Kosova, po dëshmon se mosha nuk është pengesë për inovacionin. Që nga mosha gjashtëvjeçare, ai ka qenë i zhytur në botën e kodimit dhe inteligjencës artificiale, duke krijuar projekte që sot po tërheqin vëmendjen e ekspertëve dhe entuziastëve të teknologjisë.

Fillimi i këtij rrugëtimi ndodhi kur prindërit e tij e inkurajuan të ndiqte kursin “Bone vet”, i cili për Kaonin u bë pika e kthesës drejt një pasioni të thellë për teknologjinë. Kureshtja natyrale dhe dëshira për të mësuar më shumë e çuan nga projektet më të thjeshta në zhvillimin e sistemeve të ndërlikuara që përdorin inteligjencë artificiale gjenerative.

"Pasioni im për teknologjinë ka qenë si një talent i pazbuluar," rrëfen Kaoni për TRT Balkan.

"Fillova me projekte bazike, por me kalimin e kohës u përfshiva në zhvillime më të avancuara. Sot, po punoj për një platformë që do të ndihmojë në zhvillimin e inteligjencës artificiale duke organizuar njohuritë njerëzore në mënyrë më efikase."

Platforma, e cila pritet të lançohet në qershor, është një ndër projektet më ambicioze të tij. Ai shpjegon se po integron modele të mëdha gjenerative (LLM) për të krijuar aplikacione më të zgjuara dhe më efikase, që do të mund të përdoren në fusha të ndryshme.

Kaoni është i bindur se inteligjenca artificiale do të luajë një rol kyç në të ardhmen. Edhe pse disa njerëz janë të shqetësuar për ndikimin që IA mund të ketë në vendet e punës, ai beson se çdo ndryshim sjell edhe mundësi të reja.

"Disa thonë se njerëzit do të humbasin punën për shkak të IA-së, por unë besoj tek shprehja: 'Kur një derë mbyllet, një tjetër hapet'," thotë ai. "Unë e shoh IA-në si një mjet që mund të na ndihmojë të mësojmë më shpejt dhe të rrisim efikasitetin tonë, jo si një kërcënim."

Duke ndjekur zhvillimet ndërkombëtare, Kaoni përmend me admirim rastet e vendeve si Estonia, Mbretëria e Bashkuar dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ku edukimi për inteligjencën artificiale ka nisur që në shkollat fillore.

"Në disa vende, si Estonia, fëmijët mësojnë për ChatGPT që në shkollë. Edhe në Mbretërinë e Bashkuar dhe SHBA, IA po integrohet në arsim. Nuk po them që IA duhet të bëjë gjithçka për ne, por duhet ta shfrytëzojmë për të nxënë më lehtë dhe për të zhvilluar aftësitë tona," shpjegon ai.

Për të ardhmen, ëndrra më e madhe e Kaonit është krijimi i një kompanie që jo vetëm të sjellë inovacion në fushën e teknologjisë, por edhe të kontribuojë drejtpërdrejt në zhvillimin e vendit të tij.

"Dua që përmes teknologjisë t’i sjell vlera Kosovës. Synimi im është të krijoj një kompani dhe të ndërtojmë një ekosistem ku të rinjtë mund të përfitojnë nga njëri-tjetri," thekson ai.

Kaon Krasniqi nuk është vetëm një adoleshent me njohuri të jashtëzakonshme, ai është një tregues i qartë se e ardhmja është këtu dhe po ndërtohet nga brezi i ri. Me ide të qarta, motivim të pashoq dhe synime të mëdha, ai është shembull frymëzimi për të gjithë ata që besojnë në fuqinë e teknologjisë për të ndryshuar botën.


BURIMI:TRT Balkan AL
Hidhini një sy TRT Global. Ndani komentet tuaja!
Contact us