Kuvendi i Kosovës mbetet i pakonstituuar edhe pas 26 përpjekjeve me radhë, në mungesë të votave të mjaftueshme për zgjedhjen e Kryetarit të këtij institucioni.
Paraprakisht, kryesuesi i seancës Avni Dehari, mblodhi përfaqësuesit e partive parlamentare për konsultim për seancën e radhës, pasi që sipas rregullit 48-orësh, seanca do të duhej të mbahej në ditën e parë të festës së Kurban Bajramit, me ç’rast seanca me dakordim do të mbahet ditën e nesërme.
Të gjitha Grupet Parlamentare të Kuvendit të Kosovës, përpos grupit më të madh parlamentar, Lëvizjes Vetëvendosje (LVV), nuk e mbështetën krijimin e një Komisioni “ad-hoc” për votim të fshehtë të pozitës së Kryeparlamentarit, duke mos propozuar anëtarin (deputetin) e tyre për këtë komision, të propozuar nga Lëvizja Vetëvendosje.
Nga 111 deputetë të pranishëm në sallë, vetëm 53 vota ishin pro formimit të këtij komisioni për votimin e fshehtë të kryeparlamentarit, një kundër dhe nuk pati abstenime.
"Nuk kemi kuorum, ndërpritet seanca, takohemi më 5 qershor në orën 11:00", theksoi kryesuesi i seancës, Avni Dehari.
Partia e dytë më e madhe, Partia Demokratike të Kosovës (PDK), ka përsëritur se LVV-ja duhet ta ndërrojë kandidaten për kryetar të Kuvendit të Kosovës në mënyrë që ta mbështesin votimin e kryeparlamentarit. Por, nga deklarimet e tij mediatike deri më tani, kryeministri në detyrë dhe kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, ka thënë se nuk bëhet fjalë për ndryshim të kandidates Albulena Haxhiu, duke fajësuar opozitën për bllokim të konstituimit të Kuvendit.
Nga 61 vota sa nevojiten minimalisht, kandidatja e Lëvizjes Vetëvendosje, Albulena Haxhiu, deri më tani ka marrë jo më shumë se 57 vota për kryetare të Kuvendit të Kosovës, të cilat 48 janë nga Lëvizja Vetëvendosje dhe 9 nga deputetët që vijnë nga komunitetet. Për herë të parë seanca konstituive u mbajt më 15 prill.
Më 15 maj, liderët e katër partive politike shqiptare parlamentare filluan takimet konsultative me presidenten Vjosa Osmani me qëllim të zhbllokimit dhe formimit sa më të shpejtë të institucioneve të reja të dala nga zgjedhjet e 9 shkurtit 2025. Takime të tilla u paralajmëruan nga presidentja Osmani edhe për javët në vijim, por nuk u mbajtën.