Presidenti turk, Recep Tayyip Erdoğan, përshëndeti lajmet për një marrëveshje armëpushimi midis Izraelit dhe Iranit, duke u bërë thirrje të dyja palëve që ta respektojnë plotësisht armëpushimin.
"Türkiye do ta ruajë me vendosmëri qëndrimin e saj parimor që mbështet të drejtën ndërkombëtare dhe i jep përparësi diplomacisë", tha Erdoğan në aeroportin e Ankarasë përpara vizitës së tij në Holandë për samitin e NATO-s.
"Veprimet e pamatura të Izraelit, duke filluar me Palestinën e duke u shtrirë në Liban, Siri, Jemen dhe në fund në Iran, janë absolutisht të papranueshme", tha ai.
Duke folu për luftën Izrael-Iran, Erdoğan theksoi se rajoni nuk mund ta përballojë barrën e luftës, efektet e së cilës do të ndihen në të gjithë botën.
"Do të ishte e drejtë t'i jepet shans diplomacisë", shtoi ai.
Ai tha gjithashtu se një armëpushim i përhershëm duhet të vendoset në Gaza sa më shpejt të jetë e mundur, sulmet e Izraelit duhet të ndalen dhe ndihma humanitare duhet të lejohet pa ndërprerje.
"Aktorët globalë duhet të marrin masa efektive për t'i dhënë fund kësaj çmendurie. Përndryshe, jo vetëm rajoni ynë, por e gjithë bota do ta paguajë çmimin", tha presidenti turk.
Ndërkohë, në NATO, Türkiye mbështet ndarjen e drejtë të barrës dhe forcimin e sigurisë evropiane, vuri në dukje ai.