Ministri i Jashtëm i Iranit, Abbas Araghchi, do të zhvillojë një vizitë njëditore në Kinë, sipas një deklarate zyrtare nga Pekini të martën.
Vizita e Araghchit në Pekin të mërkurën, për t'u takuar me Ministrin e Jashtëm të Kinës, Wang Yi, ndodh në një kohë kur Irani po vazhdon negociatat direkte dhe indirekte me SHBA-në për çështjen bërthamore, të ndërmjetësuara nga Omani.
Ministria e Jashtme në Pekin tha se udhëtimi po bëhet me ftesë të Wang-ut.
Teherani dhe Uashingtoni kanë zhvilluar dy raunde bisedimesh – i pari në kryeqytetin e Omanit, Muskat, dhe i dyti në kryeqytetin italian, Romë.
Administrata Trump ka deklaruar se të dyja palët “kanë bërë përparim të mirë”, ndërsa Araghchi i ka përshkruar bisedimet si “konstruktive dhe të mira”.
Raundi i tretë i bisedimeve mes Teheranit dhe Uashingtonit do të mbahet të shtunën në Oman.
Bisedimet indirekte për çështjen bërthamore, të cilat filluan më 13 prill në Muskat, janë përqendruar në programin bërthamor të Iranit, me dy palët që komunikojnë përmes Omanit si ndërmjetës.
Presidenti amerikan, Donald Trump, ka kërcënuar me veprim ushtarak ndaj Iranit nëse nuk arrihet një marrëveshje e re që do të zëvendësojë marrëveshjen bërthamore të vitit 2015, të ndërmjetësuar gjatë administratës së mëparshme Obama.
Teherani, megjithatë, ka këmbëngulur se nuk do të “negociojë në publik” me Uashingtonin.