Gjatë seancës së sotme plenare, Kryeparlamentarja e Shqipërisë, Elisa Spiropali, deklaroi se Shqipëria do t'i mbyllë negociatat brenda 2027-s dhe se do të anëtarësohet në Bashkimin Europian brenda kësaj dekade.
“Shqipëria është ajo që brenda 2027-s do t'i mbyllë negociatat me BE-në, me apo pa ju (opozitën), dhe do të anëtarësohet në Bashkimin Europian brenda kësaj dekade, jo për ne, jo vetëm për socialistët, por për të gjithë fëmijët e këtij vendi”, tha ajo.
Spiropali pati replika të ashpra me kryetarin e grupit parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, ku edhe shprehu indinjatën e saj për aksionet e PD-së në Bruksel, të cilat sipas saj i bëhet opozitë Shqipërisë.
“Jo sepse dua të bëj replikë me ju, por dua të shpreh jo vetëm shqetësimin, por edhe indinjatën time, për aksione të tilla alla opozite shqiptare, dhe nuk po i ndaj, kur në dyert e Brukselit, në dyert e të gjithë partnerëve tanë nuk i bëhet opozitë qeverisë, as flitet për standarde, as kërkohet përmirësimi i standardeve, por i bëhet opozitë Shqipërisë”, u shpreh Kryetarja e Kuvendit.
Kryeparlamentarja theksoi se Shqipëria poshtërohet duke thënë të pavërteta haluçinante që nuk guxojnë t’ia thonë as armiqtë më të përbetuar të saj.
Sipas saj, atë që nuk guxon ta thotë racisti më i fundit në Europë, e thotë lideri i opozitës shqiptare.
“Në fakt, poshtërohet Shqipëria, thuhen të pavërteta haluçinante që nuk bazohen në asnjë realitet dhe në asnjë raport, ku Shqipërisë nuk guxojnë t’ia thonë as armiqtë më të përbetuar të saj. Dhe nuk guxon ta thotë për Shqipërinë as racisti më i fundit në Europë, atë guxon ta thotë ai që quhet lideri i opozitës shqiptare”, tha Spiropali.
“Shqipëria nuk është narkoshtet, Shqipëria nuk është vend i kriminalizuar, Shqipëria patjetër ka problemet e saj, të cilat adresohen, Shqipëria është ajo që thonë raportet e partnerëve tanë, të cilët na shohin me lupë, nga Komisioni Europian, te Komisionerja për Zgjerimin, te Parlamenti Europian dhe te përfaqësuesit më të lartë të tyre”, deklaroi Kryetarja e Kuvendit.
“Mos i dilni përballë fatit europian të Shqipërisë, është tren që kalon shumë shpejt; mund t’ju duket si dritë në fund të tunelit, por në fakt është treni që po ju vjen përballë”, përfundoi Kryeparlamentarja.