RAJONI
2 minuta leximi
Vuçiq: Inflacioni do të ulet, protesta kundër pushtetit kanë hyrë në qorrsokak
Vuçiq deklaroi se "revolucioni me ngjyra ka hyrë në një rrugë pa dalje", duke vlerësuar se protestat kundër pushtetit nuk kanë program politik, ide apo kërkesa të qarta.
Vuçiq: Inflacioni do të ulet, protesta kundër pushtetit kanë hyrë në qorrsokak
Vuçiq: Inflacioni do të ulet, protesta kundër pushtetit kanë hyrë në qorrsokak / AA
3 Qershor 2025

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka paralajmëruar se në qershor pret që inflacioni të bjerë në 3,8 për qind, çka, siç tha ai, do të ishte një përparim i rëndësishëm.

"Presim lajme jashtëzakonisht të mira këtë muaj, për herë të parë pas një kohe të gjatë që norma e inflacionit të bjerë nën katër për qind; pra, vlerësimi paraprak është 3,8 për qind", tha Vuçiq në një fjalim për publikun të martën.

Megjithëse, sipas tij, bllokadat do të ndikojnë negativisht në rritjen ekonomike, Vuçiq theksoi se pret një normë rritjeje mbi tre për qind dhe se është shumë e rëndësishme që tashmë po merren në konsideratë mundësitë për një rritje të madhe të pensioneve.

Ai deklaroi se "revolucioni me ngjyra ka hyrë në një rrugë pa dalje", duke vlerësuar se protestat kundër pushtetit nuk kanë program politik, ide apo kërkesa të qarta.

"Sa i përket revolucionit me ngjyra, ai ka hyrë në qorrsokak për shumë arsye. Sepse nuk keni politikë, nuk keni program, nuk keni ide. Sepse më 11 dhjetor, pikërisht në këtë vend, para gjashtë muajsh, thashë se gjithçka do të përfundojë me kërkesa politike – dhe pikërisht para kësaj ndërtese, kur thoshin se unë nuk jam kompetent", tha Vuçiq në një konferencë për shtyp sot në Beograd.

Ai kritikoi protestuesit për, siç tha ai, kërkesa joformale dhe të paformuluara mirë.

"Pa nënshkrim, pa asnjë kërkesë formale, kërkojnë diçka me vuvuzela dhe këngë, sikur kjo të ishte një shtet bananesh ku dëshirat dhe urimet plotësohen në këtë mënyrë", tha Vuçiq.

Gjithashtu, ai paralajmëroi vazhdimin e programit të ndihmës shtetërore për të rinjtë për blerjen e banesës së parë.

"Deri tani, 5.500 të rinj kanë shprehur interesim, ndërsa 1.846 kërkesa janë në proces shqyrtimi", tha Vuçiq.


BURIMI:TRT Balkan dhe agjencitë
Hidhini një sy TRT Global. Ndani komentet tuaja!
Contact us