Ministri i Jashtëm rus, Sergey Llavrov, u bëri thirrje të martën politikanëve evropianë që të ndjekin qasjen e presidentit amerikan Donald Trump ndaj Rusisë.
Duke folur në një konferencë për shtyp në Moskë pas takimit me ministren e Jashtme të Mozambikut, Maria Lucas, Llavrov i cilësoi deklaratat e fundit të liderëve evropianë si “shumë shqetësuese” dhe i akuzoi ata për përshkallëzim të tensioneve me Rusinë.
“Arsyet pas kësaj strategjie janë mosndëshkimi dhe nxitja e vazhdueshme e regjimit të Kievit për të kryer provokime dhe akte terroriste kundër infrastrukturës civile dhe qytetarëve paqësorë të Federatës Ruse. Këto veprime nuk ndalen,” tha Llavrov.
Ai premtoi se Rusia do të japë “një përgjigje të denjë” dhe do të arrijë të gjitha objektivat e saj, pavarësisht përpjekjeve të BE-së për t’i bllokuar ato “nëpërmjet duarve të Kievit.”
“Shpresoj që qasja e arsyeshme, përfshirë gatishmërinë për dialog, dëgjim dhe mirëkuptim, që po demonstron administrata e Trump pas zëvendësimit të administratës së Bidenit, e cila ka qenë në hap me evropianët e pamatur, të mos kalojë pa u vënë re në Evropë”, shtoi ai.
Javën e kaluar, ministri gjerman i Mbrojtjes, Boris Pistorius, deklaroi se trupat gjermane “janë të gatshme të vrasin ushtarë rusë” në rast se Moska sulmon NATO-n.
Ndërkohë, komandanti i Ushtrisë Amerikane në Evropë dhe Afrikë, Christopher Donahue, përmendi mundësinë e një sulmi parandales ndaj Kaliningradit, eksklavës ruse në Detin Baltik.
Nga ana e saj, ministrja Lucas u shpreh se Mozambiku shpreson që raundi i ardhshëm i bisedimeve mes Moskës dhe Kievit, i planifikuar të zhvillohet në Istanbul në ditët në vijim, të jetë i suksesshëm për të dyja palët.
Sipas saj, Mozambiku “e sheh Rusinë si një vend jashtëzakonisht të qëndrueshëm që ka përballuar sanksione dhe pengesa të shumta dhe po kërkon ta zgjidhë konfliktin në Ukrainë përmes negociatave.”
Ajo shtoi se konflikti në Ukrainë po ndikon mbarë botën, përfshirë kontinentin afrikan, veçanërisht në aspektin e sigurisë ushqimore dhe furnizimeve nga Rusia.
Presidenti ukrainas Volodymyr Zelenskyy njoftoi të martën se bisedimet do të zhvillohen të mërkurën, ndërsa Kremlini deklaroi se shpreson që negociatat të mbahen brenda kësaj jave.