RAJONI
2 minuta leximi
Shqipëri, 11 vatra zjarri ende aktive
Në një njoftim nga Ministria e Mbrojtjes e Shqipërisë, thuhet se vatrat e zjarrit janë evidentuar në disa bashki.
Shqipëri, 11 vatra zjarri ende aktive
Shqipëri, 11 vatra zjarri ende aktive / AA
23 Korrik 2025

Gjatë 24 orëve të fundit në Shqipëri janë evidentuar 22 vatra zjarri, ndërkohë 11 vatra janë ende aktive në disa bashki.

Në një njoftim nga Ministria e Mbrojtjes e Shqipërisë, thuhet se vatrat e zjarrit janë evidentuar në bashkitë Tiranë, Dibër, Mat, Vlorë, Elbasan, Kurbin, Lezhë, Devoll, Korçë, Pustec, Pogradec, Gjirokastër, Përmet, Fier, Berat, Dimal, Malësi e madhe dhe Kukës.

Në disa bashki të vendit, 11 vatra janë ende aktive, ndërkohë theksohet se si pasojë e zjarreve në 24 orët e fundit kryesisht në sipërfaqe me bimësi e pyjore, janë djegur rreth 17 hektarë.

Në javët e fundit në Shqipëri kanë vazhduar zjarret në disa zona. Në operacionet për shuarjen e tyre janë angazhuar Forcat e Armatosura të Shqipërisë, automjete zjarrfikëse, forca bashkiake, vullnetarë dhe forca të tjera operacionale.

Në ndihmë për shuarjen e zjarreve në Shqipëri u angazhuan edhe avionë nga Italia dhe Greqia, në kuadër të Mekanizmit Evropian të Mbrojtjes Civile.

Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile e Shqipërisë, mbi operacionet për shuarjen e zjarreve ka njoftuar në rrjetet sociale se përpjekjet e koordinuara nga toka dhe ajri vijojnë me intensitet, "për të mbrojtur mjedisin, banesat dhe jetën e banorëve".

Sipas Institutit të Gjeoshkencave të Shqipërisë, sa i përket rrezikut për zjarre, sot dhe nesër pritet nivel "i lartë" rreziku në të gjitha qarqet e vendit.

Sipas institutit, temperaturat sot pritet të arrijnë deri 36 gradë celsius dhe se nuk priten reshje në të gjithë territorin.

BURIMI:TRT Balkan dhe Agjencitë
Hidhini një sy TRT Global. Ndani komentet tuaja!
Contact us