Në Shqipëri vazhdojnë aplikimet që filluan disa ditë më parë për "Paketën e Maleve", ku aplikuesit që do të përzgjidhen do të përfitojnë pronat shtetërore me çmim simbolik 1 euro.
"Paketa e Maleve" është një projekt i iniciuar nga Qeveria e Shqipërisë për t'i afruar kryesisht emigrantët shqiptarë që të investojnë në Shqipëri, në tokën e të parëve të tyre në zonat malore.
Ministri i Shtetit për Pushtetin Vendor në Qeverinë e Shqipërisë, Arbjan Mazniku, në një intervistë në një media në Shqipëri tha se kanë shprehur interes për këtë nismë mbi 1.800 aplikantë.
Mazniku ka theksuar se faza e parë sa u përket aplikimeve do të jetë e hapur deri në mesin e muajit shtator, ndërkohë më pas do të vijohet me fazat e tjera të këtij projekti.
Më 13 mars 2025, Kuvendi i Shqipërisë miratoi Ligjin për Paketën e Maleve, i cili ka për qëllim tërheqjen e investimeve dhe nxitjen e zhvillimit ekonomik apo turistik në zonat me përparësi zhvillimin e ekonomisë në zonat malore.
Sipas autoriteteve shqiptare, Ligji për Paketën e Maleve synon të krijojë kushte të favorshme për tërheqjen e investimeve dhe ta nxisë zhvillimin ekonomik e turistik në zonat malore.
Sipas Qeverisë së Shqipërisë, "Paketa e Maleve" është një nismë për investime në zonat malore, e ofruar për të gjithë të interesuarit, qofshin emigrantë apo rezidentë, të cilët kanë dëshirën dhe vizionin për të ndërtuar në tokën e tyre.