Me vetëm një hap larg Evropës, shteti shqiptar do të bëhet gati për t'i përmbushur kërkesat e grupkapitullit të fundit, ose grupkapitullit 5.
Komiteti i Përfaqësuesve të Përhershëm të Vendeve Anëtare të Bashkimit Europian autorizoi sot Presidencën Daneze të ftojë Shqipërinë për të paraqitur Pozicionin e saj Negociues për negociatat lidhur me kapitujt që përbëjnë Grupkapitullin 5: “Burimet, Bujqësia dhe Kohezioni”.
Në reagimin e tij për këtë zhvillim, kryeministri Edi Rama shkroi në Facebook: “Shqipëria nuk ndalet”.
Ky hap i rëndësishëm i hap rrugë mbajtjes së Konferencës Ndërqeveritare në muajt në vijim dhe përmbylljes së hapjes së të gjithë kapitujve të negociatave me Shqipërinë.
Vendimi është një konfirmim i qartë i vlerësimit të Bashkimit Europian për përgatitjen teknike, institucionale dhe ekonomike të Shqipërisë, si dhe për angazhimin e saj ndaj rrugës europiane.
Grupkapitulli 5 ka një rëndësi të veçantë për zhvillimin ekonomik dhe social të qëndrueshëm të vendit, pasi përfshin fusha të tilla si mbështetja për bujqësinë, peshkimin dhe sigurinë ushqimore.
Ky grup përbëhet nga pesë kapituj: Kapitulli 11: Bujqësia dhe Zhvillimi Rural, Kapitulli 12: Siguria Ushqimore, Politika Veterinare dhe Fitosanitare, Kapitulli 13: Peshkimi, Kapitulli 22: Politika Rajonale dhe Koordinimi i Instrumenteve Strukturore, Kapitulli 33: Dispozitat Financiare dhe Buxhetore.
Negociatat në këtë grupkapitull pritet të nxisin reforma në drejtim të modernizimit të bujqësisë, rritjes së cilësisë së prodhimit ushqimor dhe forcimit të politikave të kohezionit.
Qëllimi i Shqipërisë është t'i hapë të gjithë kapitujt e negociatave gjatë vitit 2025 dhe t’i përmbyllë ato deri në fund të vitit 2027, me synimin për t’u bërë anëtare e plotë e Bashkimit Europian brenda vitit 2030.