RAJONI
2 minuta leximi
Takim Misajllovski-Güler në Istanbul: Vazhdojmë ta forcojmë partneritetin
Ministri i Mbrojtjes i Maqedonisë së Veriut, Vllado Misajllovski, është takuar me homologun e tij turk, Yaşar Güler, në kuadër të panairit të industrisë së mbrojtjes në Stamboll - IDEF 25.
Takim Misajllovski-Güler në Istanbul: Vazhdojmë ta forcojmë partneritetin
Takim Misajllovski-Güler në Istanbul: Vazhdojmë ta forcojmë partneritetin / AA
23 Korrik 2025

Në kuadër të Panairit të Industrisë së Mbrojtjes në Istanbul - IDEF 25, ministri i Mbrojtjes i Maqedonisë së Veriut, Vllado Misajllovski, së bashku me ministrin e Brendshëm Pançe Toshkovski, është takuar me ministrin e Mbrojtjes Kombëtare të Türkiyes, Yaşar Güler.

Siç thuhet në një deklaratë nga Ministria e Mbrojtjes e Maqedonisë së Veriut, në takim është theksuar bashkëpunimi i gjatë aktiv i mbrojtjes i bazuar në vizionin e përbashkët për ruajtjen e stabilitetit dhe sigurisë së rajonit dhe zhvillimin e të dy vendeve.

"Vazhdojmë ta forcojmë partneritetin përmes shkëmbimit të njohurive dhe ekspertizës në të gjitha fushat", është konkluduar në takim.

Misajllovski u është referuar gjithashtu pajisjeve më të fundit të reja dhe të sofistikuara që janë bërë pjesë e arsenalit të ushtrisë së Maqedonisë së Veriut, obusët "Boran" të prodhuar në Türkiye, duke vënë në dukje se "Ushtria e Maqedonisë së Veriut është e bindur për cilësinë e industrisë ushtarake turke" dhe duke shprehur mirënjohje për mbështetjen e vazhdueshme nga Türkiye, veçanërisht në zhvillimin e kapaciteteve të ushtrisë.

"Ushtria e Maqedonisë së Veriut po kalon nëpër procesin më intensiv të modernizimit dhe pajisjes deri më sot, që pa dyshim është një investim në sigurinë e qytetarëve të Maqedonisë së Veriut. Një ushtri më e fortë do të thotë gjithashtu një mbrojtje kolektive më e besueshme dhe më e sigurt në NATO", ka thënë Misajllovski.

Siç njoftohet, dje në mbrëmje, në kuadër të vizitës së tij në Türkiye dhe pjesëmarrjes në panairin e industrisë ushtarake IDEF 25, Misajllovski është takuar edhe me presidentin e Agjencisë Turke të Industrisë së Mbrojtjes, Haluk Görgün, me të cilin ka diskutuar zhvillimin e industrisë ushtarake dhe nevojën për rritje të investimeve në këtë fushë, si një mënyrë për të forcuar sigurinë e aleatëve.

Në deklaratë thuhet se industria ushtarake turke është me interes për mbrojtjen e Maqedonisë së Veriut, veçanërisht duke pasur parasysh se ushtria e vendit tashmë është pajisur me gjashtë obusë të rinj 105 mm dhe pajisje shoqëruese nga kompanitë "Boran" dhe "Aselsan" të cilat u promovuan së fundmi për publikun.

BURIMI:TRT Balkan dhe Agjencitë
Hidhini një sy TRT Global. Ndani komentet tuaja!
Contact us