Türkiye së bashku me disa vende nga rajoni i Ballkanit, i janë bashkuar fushatës "Safe2Eat" të Bashkimit Evropian (BE), e cila zbatohet nga Autoriteti Evropian i Sigurisë Ushqimore (EFSA) për të ndihmuar konsumatorët në zgjedhje të informuara për ushqimin.
Fushata "Safe2Eat" në vitet e mëparshme ishte e hapur vetëm për vendet anëtare të BE-së, por nga ky vit mund të marrin pjesë edhe vendet kandidate të bllokut evropian.
Kjo fushatë synon të udhëzojë konsumatorët me informacione të përditësuara bazuar në të dhënat shkencore mbi ushqimin. Që nga viti 2020, ajo ka siguruar që konsumatorët të bëjnë zgjedhje të informuara dhe të parandalojnë humbjet ushqimore.
Fushata e këtij viti, përkatësisht "Safe2Eat2025", do të përfshijë edhe Türkiyen, Shqipërinë, Maqedoninë e Veriut, Malin e Zi, Kroacinë, Bosnjë e Hercegovinën, Austrinë, Belgjikën, Republikën Çeke, Estoninë, Finlandën, Irlandën, Italinë, administratën greke qipriote, Letoninë, Luksemburgun, Hungarinë, Norvegjinë, Poloninë, Rumaninë, Sllovakinë dhe Greqinë.
Në kuadër të fushatës "Safe2Eat", e cila vitin e kaluar arriti më shumë se 45 për qind të audiencës së synuar në të gjithë Evropën, mbi 50 milionë konsumatorë evropianë u ndërgjegjësuan për sigurinë e ushqimit përmes mesazheve të shpërndara në rrjetet sociale dhe kanalet e tjera të komunikimit.
Fushata bëri që konsumatorët të ndryshojnë sjelljen e tyre për të "përparuar sigurinë ushqimore" kur bënin zgjedhjet e blerjes. Konsumatorët evropianë raportuan se fushata u siguroi atyre informacione më të qarta për sigurinë ushqimore dhe rriti njohuritë e tyre se si të parandalojnë rreziqet e mundshme.
Në përputhje me fushatën, një gamë e gjerë aktivitetesh do të organizohen gjatë gjithë vitit, si në nivel të vendeve të BE-së ashtu edhe në vendet pjesëmarrëse të saj. Fushata planifikon të rrisë ndërgjegjësimin e konsumatorëve përmes mesazheve në faqen e saj zyrtare, si dhe synon gjithashtu informimin e tyre përmes materialeve edukative.
Fushata në rrjetet sociale do të përdorë hashtagun #Safe2EatEU me qëllim për të forcuar ndërveprimin midis konsumatorëve.