POLITIKË
3 minuta leximi
Deputetët gjermanë bëjnë thirrje për ndalimin e eksporteve të armëve në Izrael
“Armët gjermane nuk duhet të përdoren për të shkaktuar katastrofa humanitare dhe për të shkelur të drejtën ndërkombëtare”, tha për revistën Stern zëdhënësi për politikën e jashtme i grupit parlamentar të SPD-së, Adis Ahmetovic.
Deputetët gjermanë bëjnë thirrje për ndalimin e eksporteve të armëve në Izrael
Deputetët gjermanë bëjnë thirrje për ndalimin e eksporteve të armëve në Izrael / AA
26 Maj 2025

Disa deputetë të Partisë Socialdemokrate (SPD), që është pjesë e qeverisë në Gjermani, bënë të hënën thirrje për ndalimin e eksporteve të armëve në Izrael, për shkak të veprimeve të tij brutale ushtarake në Rripin e Gazës.

“Armët gjermane nuk duhet të përdoren për të shkaktuar katastrofa humanitare dhe për të shkelur të drejtën ndërkombëtare”, tha për revistën Stern zëdhënësi për politikën e jashtme i grupit parlamentar të SPD-së, Adis Ahmetovic.

“Prandaj, i bëjmë thirrje qeverisë së (Benjamin) Netanyahut të jetë e gatshme të pranojë një armëpushim dhe të rikthehet në tryezën e negociatave”, shtoi ai.

Deklaratat e Ahmetovic u përkrahën edhe nga kolegu i tij në parti, Ralf Stegner, i cili tha: “Katastrofa humanitare për popullsinë civile palestineze dhe shkeljet e së drejtës ndërkombëtare nga qeveria e Netanyahut duhet të përfundojnë menjëherë dhe nuk duhet të zgjaten me armë gjermane.”

Qeveria gjermane më herët bëri një përjashtim për Izraelin nga praktika e mosfurnizimit me armë në zonat e konfliktit. Armët kishin për qëllim të shërbenin për sigurinë dhe mbrojtjen e Izraelit. “Kjo është tërësisht jashtë diskutimit aktualisht në Rripin e Gazës dhe në Bregun Perëndimor”, shtoi Stegner.

Ndërkohë, deputetja e SPD-së, Isabel Cademartori, paralajmëroi se Gjermania mund të bëhet bashkëfajtore në krime lufte duke furnizuar me armë Izraelin.

“Kjo mund të çojë në ndjekje penale të vetë Gjermanisë nga gjykatat ndërkombëtare”, tha ajo.

Për këtë arsye, ajo kërkoi që qeveria gjermane të kufizojë eksportet e armëve, veçanërisht duke ndalur furnizimin me municion tankesh dhe pjesë këmbimi.

Vlera totale e eksporteve të lejuara nga qeveria gjermane në tremujorin e parë të këtij viti ishte 1,18 miliardë euro (1,34 miliardë dollarë). Izraeli renditet aktualisht në vendin e 10-të me licenca eksporti në vlerën 28 milionë euro (31,9 milionë dollarë).

Gjermania ka qenë prej kohësh një aleate kyçe e Izraelit, me kancelarin Friedrich Merz që shpesh thekson përgjegjësinë e veçantë të Gjermanisë për sigurinë e Izraelit për shkak të së kaluarës naziste të vendit.

Kritikët argumentojnë, megjithatë, se mbështetja pa kushte e Gjermanisë për qeverinë e kryeministrit izraelit Benjamin Netanyahu po dëmton besueshmërinë ndërkombëtare të Berlinit dhe po e izolon atë gjithnjë e më shumë në skenën globale.

Izraeli aktualisht përballet me një çështje për gjenocid në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë (ICJ) për veprimet e tij në Gaza, ku miliona palestinezë mbeten të zhvendosur dhe përballen me mungesa të rënda ushqimi, ndihme mjekësore dhe nevojash të tjera bazë.

Ushtria izraelite, duke injoruar thirrjet ndërkombëtare për armëpushim, ka ndjekur një ofensivë brutale ndaj Gazës që nga tetori 2023, duke vrarë mbi 53.900 palestinezë, shumica dërrmuese gra dhe fëmijë.


BURIMI:TRT Balkan dhe agjencitë
Hidhini një sy TRT Global. Ndani komentet tuaja!
Contact us