Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka konfirmuar se më 9 maj do të marrë pjesë në paradën në Moskë me rastin e Ditës së Fitores kundër fashizmit, pavarësisht presioneve, dhe se do të takohet me presidentin rus Vladimir Putin.
Gjatë një interviste në televizionin lokal TV Pink, Vuçiq tha se do ta përfaqësojë “me krenari Serbinë” në përkujtimin e 80-vjetorit të fitores ndaj fashizmit.
“Kam thënë që tetë muaj më parë se do të shkoj në Moskë. Do të shkoj në Moskë,” deklaroi ai.
Vuçiq shtoi se me shumë gjasë do të udhëtojë i vetëm dhe se për shkak të këtij udhëtimi do të “pësojë të gjitha goditjet nga bota, si nga jashtë ashtu edhe nga brenda”.
“Nuk dua që qeveria e Gjuro Macutës të paguajë çmimin. Dua që ai të ketë mundësi të bashkëpunojë siç duhet me Bashkimin Evropian dhe askush të mos i thotë asgjë. Është e vështirë që ushtria të marrë pjesë, sepse do të ishte nën sulme dhe sanksione të ndryshme,” tha Vuçiq.
Ai paralajmëroi se me Putinin do të diskutojë për një marrëveshje të re për gazin, si dhe për çështjen e Naftës Industriale të Serbisë (NIS), ndaj së cilës kërcënojnë sanksionet amerikane për shkak të pjesëmarrjes ruse në pronësi.
“Deri më 30 maj duhet të nënshkruajmë marrëveshjen për gazin. Duhet të zgjidhim çështjen e kompanisë së naftës. Duhet të flasim për të gjitha temat e tjera,” tha ai.
Vuçiç gjithashtu njoftoi për vizitën e komisioneres për zgjerimin e BE-së, Marta Kos, në Beograd në fund të prillit dhe shprehu shpresën se para udhëtimit në Moskë do të ketë mundësi të takojë përfaqësues të Partisë Republikane amerikane dhe drejtues të SHBA-së.