Palestinezët në Rripin e Gazës, të cilët prej kohësh u janë nënshtruar sulmeve të rënda, urisë dhe zhvendosjes së detyruar, edhe një herë do të festojnë Kurban Bajramin e ardhshëm nën hijen e gjenocidit izraelit.
Sulmet dhe shkatërrimi i lënë nga Izraeli në Gaza që nga 7 tetori 2023, fshinë çdo shenjë gëzimi për festimin e Bajramit madje para se të fillojë.
Ndërsa rrugët e qytetit, tani të shndërruara në rrënoja, janë bërë vende strehimi për palestinezët e detyruar vazhdimisht të largohen, nuk ka asnjë gjurmë gëzimi për Bajramin në fytyrat e atyre që janë dobësuar nga uria mes grumbujve të mbeturinave në qoshet e rrugëve.
Këtë vit, palestinezët i afrohen Bajramit larg zhurmës së ëmbël të blerjes së rrobave të reja ose përgatitjes së kurbaneve, duke jetuar në vend të kësaj në tenda primitive ku nuk ka privatësi ose dinjitet për t’i mbrojtur nga nxehtësia e verës ose i ftohti i dimrit.
Bajrami vjen mes një atmosfere bombardimi të vazhdueshëm, shkatërrimi të përhapur, mungesës së të ardhurave dhe një ndërprerjeje të plotë të ndihmës humanitare, ndërsa popullata lufton për të përmbushur nevojat më themelore të mbijetesës.
Shtëpitë në Gaza janë shembur nga sulmet ajrore izraelite. Muret dhe dyert, dikur të zbukuruara me dekorime të Bajramit, tani janë rrënoja. Rrugët që dikur ishin plot me familje që blinin rroba dhe dhurata, janë skena shkatërrimi dhe pikëllimi.
“Ua vodhën Bajramin fëmijëve”
Nehad Abu Amsha, një nënë me shtatë fëmijë e zhvendosur nga kampi i refugjatëve Jibaliya në Gazën veriore, thotë se nuk mund të gjejë as këpucë për fëmijët e saj.
“Nuk mund të sjell as një palë pantofla që fëmijët e mi t’i veshin. Çfarë lloj Bajrami është ky? Ku është gëzimi? Ata ua vodhën gëzimin fëmijëve. Dua vetëm t’i ushqej fëmijët e mi”, tha ajo për Anadolu.
“Nuk ka Bajram. Asnjë gëzim. Disa i kanë humbur fëmijët e tyre si dëshmorë. Të tjerë kanë humbur këmbët. Një vajzë ka humbur motrat e saj. A është ky Bajrami për të cilin po flisni?”, pyeti ajo.
Adil Shamiye, 79 vjeç, i zhvendosur nga Beit Hanoun, e quajti situatën aktuale më të keqen që ka parë në jetën e tij.
Sipas Ministrisë palestineze të Shëndetësisë, të paktën 60 fëmijë në Gaza kanë vdekur nga kequshqyerja e shkaktuar nga rrethimi izraelit që nga 7 tetori.
Për 72-vjeçaren Aisha Abu Salah, situata është po aq e tmerrshme. Duke jetuar në një tendë dhe me shëndet të dobët, ajo thotë se kushtet ekonomike janë të padurueshme.
Ushtria izraelite, duke hedhur poshtë thirrjet ndërkombëtare për armëpushim, po kryen një ofensivë brutale kundër Gazës që nga tetori 2023, duke vrarë më shumë se 54.500 palestinezë, shumica prej tyre gra dhe fëmijë.
Nëntorin e kaluar, Gjykata Ndërkombëtare Penale lëshoi urdhra arresti për kryeministrin izraelit Benjamin Netanyahu dhe ish-ministrin e tij të Mbrojtjes Yoav Gallant për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit në Gaza.
Izraeli gjithashtu përballet me një padi për gjenocid në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë për krimet e tij të luftës kundër civilëve në enklavën palestineze.