Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se opozita është duke ia zgjatur mandatin qeverisë së udhëhequr nga ai, me mospjesëmarrjen në votim në Kuvendin e Kosovës.
Në një deklarim për media, pasi Kuvendi i Kosovës dështoi të konstituohet për 36 herë me radhë, Kurti tha se për këtë situatë ku qeverisja e tij ka mbetur në detyrë edhe pas mandatit katërvjeçar, "dikush mund të mendojë se ekziston një marrëveshje" me opozitën.
Ai e cilësoi të pakuptueshme mosvotimin nga opozita për komisionin për votim të fshehtë për kryeparlamentarin.
"Ju gjithmonë e dini që kam hyrë në çerekun e dytë të vitit të pestë të mandatit të plotë. Çdo opozitë demokratike përpiqet që t'ia shkurtojë mandatin qeverisë. Përveç opozitës kosovare, e cila, siç jeni dëshmitarë të gjithë ju, po e zgjat mandatin e qeverisë Kurti. Dikush edhe mund të mendojë se kemi marrëveshje. Pra, ne si qeveri në detyrë kemi marrëveshje me opozitën aktuale që të qëndrojmë sa më shumë në pushtet. Por ju siguroj që kjo nuk është e vërtetë", theksoi Kurti.
Kurti tha se nuk ka shpjegim për këtë sjellje nëpër të cilën po kalojnë institucionet e Kosovës.
"Ne, në bazë të nenit 31 të Ligjit për Qeverinë, kemi më pak kompetenca, por kemi njësoj shumë punë. Sa më herët që e konstituojmë Kuvendin, duke e formuar me votim të fshehtë kryesinë e Kuvendit, aq më shpejt do të jemi edhe te qeveria e re", tha Kurti.
Nesër do të shënohet përpjekja e 37-të me radhë për votimin e kryetares së Kuvendit të Kosovës, pikë ku partia më e madhe, Lëvizja Vetëvendosje, nuk i ka pasur deri më tani më shumë se 57 vota, ndërsa opozita nuk e ka përkrahur kandidaten e Lëvizjes Vetëvendosje, Albulena Haxhiun, për këtë pozitë.