Shtetet e Bashkuara kanë nisur ta reduktojnë praninë e tyre ushtarake në Siri, duke synuar t'i mbyllin të gjitha bazat, përveç njërës, tha në një intervistë ambasadori amerikan për Sirinë.
Gjashtë muaj pas rrëzimit të udhëheqësit afatgjatë të regjimit sirian, Bashar al Assad, ShBA-ja po tërhiqet gradualisht si pjesë e Operacionit "Inherent Resolve" (OIR), një forcë ushtarake e krijuar në vitin 2014 për ta luftuar grupin terrorist ISIS.
"Reduktimi i angazhimit tonë ushtarak në kuadër të OIR po ndodh," tha Tom Barrack në një intervistë për televizionin turk NTV të hënën mbrëma.
"Ne kemi kaluar nga tetë baza, në pesë, pastaj në tre. Në fund do të mbesim me një."
Megjithatë, ai pranoi se Siria ende përballet me sfida të mëdha të sigurisë nën udhëheqësin e përkohshëm Ahmed al Sharaa, koalicioni i të cilit rrëzoi Assad-in në dhjetor.
Rrëzimi i Assadit i dha fund luftës civile 14-vjeçare në Siri, por autoritetet e reja po hasin vështirësi për t'i përballuar shpërthimet e fundit të dhunës sektare.
Siria do të ketë sukses përkundër sfidave
Barrack, i cili është gjithashtu ambasadori i ShBA-së në Türkiye, bëri thirrje për "integrimin" e grupeve etnike dhe fetare të vendit.
"Është ende shumë fisnore. Është shumë e vështirë ta bashkosh," tha ai.
Por "mendoj se kjo do të ndodhë," shtoi ai.
Pentagoni njoftoi në prill se ShBA-ja do ta përgjysmojë numrin e trupave të saj në Siri, duke i ulur në më pak se 1.000 gjatë muajve të ardhshëm, duke deklaruar se prania e ISIS-it është reduktuar në "mbetje".
Ankaraja ka qenë shumë kritike ndaj pranisë së bazave amerikane në Siri, duke e akuzuar Uashingtonin se ndihmon dhe mbron grupin terrorist YPG, dega siriane e PKK-së së jashtëligjshme.