Shtatë palestinezë të tjerë janë vrarë në sulmet ushtarake izraelite në Gaza, duke e çuar numrin e përgjithshëm të njerëzve të vrarë në luftën shkatërruese të Izraelit që nga tetori 2023 në 48.515.
Ministria e Shëndetësisë në Gaza tha se numri i përgjithshëm i të vdekurve përfshin pesë trupa palestinezë që u nxorën nga nën rrënojat në 24 orët e fundit
Në njoftimin e ministrisë thuhet se 14 palestinezë të tjerë të plagosur u transferuan në spitale, duke e çuar numrin e të plagosurve në sulmet izraelite në 111.941.
"Shumë viktima janë ende të bllokuar nën rrënoja dhe në rrugë, pasi ekipet e kërkim-shpëtimit nuk mund t'i arrijnë ato", tha ministria.
Një marrëveshje armëpushimi dhe shkëmbimi i të burgosurve në Gaza ka hyrë në fuqi që nga 19 janari, duke ndalur një luftë izraelite që ka shkaktuar shkatërrim të gjerë dhe e ka lënë enklavën palestineze në gërmadha.
Pavarësisht armëpushimit, autoritetet lokale në Gaza raportojnë pothuajse çdo ditë shkelje të armëpushimit nga ushtria izraelite.
Nëntorin e kaluar, Gjykata Ndërkombëtare Penale lëshoi fletarrest për kryeministrin izraelit Benjamin Netanyahu dhe ish-ministrin e mbrojtjes Yoav Gallant për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit në Gaza.
Izraeli gjithashtu përballet me një padi për gjenocid në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë.